Kylian Mbappe është titulluar futbollisti më i çmuar në botë, i vlerësuar në shumën marramendëse prej 224milionë euro, duke kryesuar kështu formacionin më të shtrenjtë në botë, që vlerësohet të kushtojë në total në shumën stratosferike prej  1.429 miliardë.

Mohamed Salah është futbollisti i dytë më i vlerësuar, me shumën e 195 milionë eurove, ndërsa në vend të tretë, Raheem Sterling i Manchester City, në kuotën e  (148.7 milionë), që  mposht Lionel Messin, të mbetur jashtë formacionit më të kushtueshëm.

Shifrat dhe të dhënat janë gjeneruar nga “CIES Football Observatory”, që ka prodhuar një listë të futbollistëve më të çmuar në botë, që prej vitit 2013.

Mbappe, Salah dhe Sterling formojnë një treshe sulmuese shumë të fuqishme dhe po aq të kushtueshme në formacionin më të shtrenjtë në botë, në një repart, që i vetëm kap vlerën e 603 milionë.

Një ofensivë e mbështetur nga mesfusha e përbërë nga Bernardo Silva, i cilësuar si mesfushori më i vlefshëm, i çmuar në shumën 121.6 milionë, pasuar nga fantazisti i Barcelonës, Coutinho në shumën 114.9 milionë dhe Pogba i Manchester United,  me vlerë 111.1 milionë.

Liverpool dominon në repartin mbrojtës të përbërë nga katërshja Andy Robertson (78.4m), i çmuari Virgil van Dijk me vlerë 99.6m dhe Trent Alexander-Arnold, mbrojtësi më i çmuar në shumën 115.6 milionë, të cilëve u bashkohet edhe mbrojtësi i Manchester City, Aymeric Laporte (93.6m).

Alisson i blerë nga Liverpool një vit më parë për 65 milionë, tani çmohet jo pak por 95.5 milionë dhe merr vendin e titullarit në portë, në formacionin më të kushtueshëm në botë.

Algoritmi i përdorur nga “CIES Football Observatory” konsideron një numër të madh variablash, duke përfshirë moshën, vlerën e kontratës, rolin në fushë, minutazhin, golat, statusi ndërkombëtar, ekipi, rezultatet e arritura dhe shumë të tjera. Elementë këto që kanë lënë jashtë formacionit më të çmuar në botë, emra si Messi, Cristiano Ronaldo, Neymar e Hazard.