Mesfushori me prejardhje kosovare, Granit Xhaka, ka bërë të ditur se do ta ndjek nga afër sfidën e Kosovës kundër Anglisë.

Xhaka i cili luan me Arsenal është aktualisht në Prishtinë, ku sonte do ta luaj ndeshjen e yjeve, kundër skuadrës së Milot Rashicës.

Kjo ndeshje është organizuar nga Komuna e Prishtinës me rastin e 20 vjetorit të çlirimit dhe të gjitha të ardhurat nga shitja e biletave do të shkojnë si ndihma për familjet në nevojë.

Por, para kësaj ndeshje, në një konferencë për medie, Xhaka është pyetur për ndeshjen Angli – Kosovë.

“Do të jem prezent në Angli për ta shikuar ndeshjen kundër Kosovës. Shanset janë shumë të mira, shpresoj t’ia arrijmë qëllimit” ka thënë Xhaka, përcjell lajmi.net.

Ndeshja mes skuadrës së Xhakës dhe asaj të Rashicës do të luhet sonte me fillim nga ora 20:00. /Lajmi.net/