Kryetari i FFK-së, Agim Ademi, ditëve të fundit ka tërhequr vëmendje të madhe, shkaku i akuzave të ngritura ndaj tij.

Ai është dënuar nga gjykata, por ka paralajmëruar se do të bëjë një ankesë në shkallën e dytë.

Lidhur me këtë ka reaguar edhe tifogrupi ‘Dardanët’, të cilët përkrahin Kosovën, dhe duket se janë në mbrojtje të presidentit.

Më poshtë lajmi.net ua përcjell reagimin e ‘Dardanëve’. 

Deklaratë e tifo grupit ‘Dardanët’ lidhur me situatën e krijuar rreth vendimit të Gjykatës për Kryetarin e FFK Agim Ademi

Prezumimi i pafajësisë është një e drejtë juridike e të akuzuarit në një gjykim penal, dhe konsiderohet si një e drejtë universale e njeriut nën Artikullin 11 të Deklaratës Universale për të Drejtat e Njeriut, të Kombeve të Bashkuara, si dhe Konventa për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore, që thotë: “Çdo person i akuzuar për një vepër penale prezumohet i pafajshëm, derisa fajësia e tij të provohet ligjërisht”.

Kryetari i FFK z.Ademi ka paralajmëruar ankesë në shkallën e dytë, dhe deri në shpalljen përfundimtare të vendimit të Gjykatës, ai (dhe cdo qytetar) prezumohet i pafajshëm.

Andaj, deri në atë ditë, ‘Dardanët’ do ta trajtojnë të tillë, dhe sic ka deklaruar edhe vet z.Ademi, edhe ne do ta respektojmë vendimin përfundimtar të Gjykatave, cfaredo qoftë ai.

Besojmë në pafajsinë e presidentit Ademi, si dhe e përkrahim dhe vlersojmë punën e tij që ka bërë ndër vite për sportin në Kosovë.

Kryesia e tifo grupit ‘Dardanët’ /Lajmi.net/