Xho Tejlor po jeton një përrallë, të denja nga ato që prodhon kampionati anglez. Sulmuesi i Lutonit, i cili këtë sezon do të luajë në Premier Ligë, 18 muaj më parë ishte një banakier me kohë të pjesshme, i cili këtë sezon do të luajë me më të mirët.
Vetëm një vit e gjysmë më parë, Tejlor nuk mundej dot as të ëndërronte të luante për londinezët, duke u huazuar te Roksami në kategorinë e nëntë dhe luajtur përpara vetëm 100 tifozëve. Megjithatë, muajin e shkuar ai hyri nga stoli në “Wembley” përpara 85.711 personash ndërsa “hatters” siguruan ngjitjen në Premier Ligë. 20- vjeçarit iu mohua një gol nga VAR në kohën shtesë, kur ai shënoi pas një gabimi nga mbrojtësi i Koventrit, Xhonatan Panzo. Por topi i bëri rikoshet në dorë, duke i mohuar kështu golin e tij të parë me Lutonin. Megjithatë, ai ekzekutoi saktë penalltinë e tij, ndërsa “hatters” fituan 6-5.
Kjo ëndërr mund të mos ishte bërë realitet, pasi ai donte të linte futbollin për t’u fokusuar te regbi dhe kriket në moshën 15- vjeçare. Tejlor, në intervistën e tij të parë të madhe, tha për “SunSport”: “Unë isha më shumë një tifoz i kriketit kur isha fëmijë, por firmosa me Noruiçin në moshën 9- vjeçare. Por unë nuk e mora bursën time dhe kjo ishte ndjenja më e keqe që kam pasur në futboll, përveç golit tim të anuluar në ‘Wembley’!
Unë dhe një djalë tjetër që u la i lirë, Aron Pauell, u provuam te Peterborou dhe na ofruan një kontratë. Aron tha ‘po’, por unë e refuzova timen, sepse e urreja futbollin. Nuk doja të luaja më. I thashë: ‘babi, kjo nuk është për mua’. Ai më pyeti, ‘çfarë të pëlqen?’ Unë i thashë ‘regbi’.
Kështu që luajta për Suafham si mbrojtës krahu dhe ia dola mirë. Luaja regbi në dimër dhe kriket për Bradenham në verë”. Tejlor më pas u rikthye në futboll duke firmosur për King’s Lin si lojtar i lirë. Dhe pas ditëlindjes së tij të 16-të, ai hyri në ekipin e rezervave dhe shënoi më shumë se 20 gola në sezonin e tij të parë, duke e shtyrë klubin t’i jepte një kontratë. “Rashë sërish në dashuri me futbollin, sepse luaja me shokët. I thashë drejtorit të klubit, se nëse trajneri nuk do më lejonte që të luaja me ekipin e parë, do të doja të shkoja në huazim, kështu që shkova te Rokshami. Pasi m’u dha shansi shënova 21 gola në 13 ndeshje”. Brenda pak ditësh ai nënshkroi kontratën e tij të parë profesioniste me Peterboroun.
“Unë isha duke punuar në një hotel si barist, gjë që më pëlqente, por kur erdhi telefonata nga Peterborou, u binda”. Me ekipin U-23 ai shkëlqeu dhe shumë shpejt zuri vend në ekipin e parë dhe luajti në Championship. Tejlor ishte atje për vetëm 14 muaj dhe nuk kishte luajtur titullar asnjë ndeshje kur Luton e afroi në janar. “Ishte e frikshme. Isha i paprovuar, nuk kisha luajtur shumë dhe po hyja në dhomën e zhveshjes me lojtarë me përvojë.
Por gjithmonë kam besuar se duke pasur skuadrën e duhur, do të shkëlqeja. Unë nuk nervozohem, por në fushë përpara nxehjes kam ndjerë flutura. Stadiumi ishte i mbushur plot dhe kur u këndua himni ishte një moment spektakolar. Trajneri më motivonte, duke thënë: ‘Nëse luan sot, do të shënosh golin e fitores’. Mendova se e dërgova skuadrën në Premier Ligë kur shënova në shtesë”.
Megjithatë, ai tregoi nerva të çelikta duke shënuar penalltinë e dytë të Lutonit dhe pasi Dabo gaboi për Koventrin, Tejlor u rrëzua në gjunjë në lot. “Nuk jam emocional. Por si një i ri që fitova një ndeshje të madhe në shtëpinë e futbollit ishte fantastike”. Për shkak se Tejlor nuk i ka mbushur 21 vjeç, ai nuk mundi t’i bashkohej pjesës tjetër të skuadrës, ndërsa ata festuan në Las Vegas, sepse në SHBA ai është i mitur për të pirë alkool ose për të hyrë në kazino.
PANORAMASPORT.AL