Sot shënohet një ditë historike për futbollin e Kosovës, duke kujtuar ndeshjen e parë mes Flamurtarit dhe Prishtinës, e cila u zhvillua nën organizimin e Federatës së Futbollit të Kosovës, të pavarur nga sistemi i atëhershëm okupues serbo-sllav.
Në këtë datë, 33 vjet më parë, për herë të parë pas shkëputjes nga ky regjim, futbolli kosovar mori formë të pavarur nën drejtimin e kryetarit të parë të FFK-së, Agim Bytyqi.
Presidenti aktual i FFK-së, Agim Ademi, në një postim të tij, e vlerësoi këtë ngjarje historike si një moment themelor për futbollin dhe për sportin në përgjithësi në Kosovë.
“Me krenari përkujtojmë të gjithë ata që kontribuan në ato ditë të vështira: lojtarët, trajnerët, drejtuesit e klubeve, gjyqtarët, delegatët dhe donatorët”, ka deklaruar Ademi.
Ai shtoi se përveç sakrificave të tyre, futbolli i Kosovës u mbështet nga shumë dashamirës të sportit që ofruan tokat e tyre për t’u kthyer në fusha të futbollit, duke u përballur me sfida të mëdha, por gjithmonë me shpirtin e unitetit dhe dashurisë për sportin.
Pas themelimit të FFK-së, u krijua sistemi i garave që përfshinte ekipet e para të pavarura kosovare.
Edhe pse infrastruktura sportive ishte e kufizuar për shkak të përjashtimit nga regjimi serb “fushat e improvizuara të futbollit” u bënë simbol i qëndresës dhe përkushtimit të komunitetit sportiv. Këto fusha, të cilat sot mund të jenë ndërtuara ose të kthyera në toka të punueshme, mbeten pjesë e shenjtë e historisë së futbollit kosovar.
“Të gjitha ato fusha që dikur ishin arenat tona të futbollit janë dhe do të mbeten një pjesë e shejtë e historisë së futbollit kosovar. Urime për të gjithë bashkëveprimtarët dhe përkujtim i përjetshëm për të gjithë ata që nuk janë më në mesin tonë”, theksoi më tej Ademi në postimin e tij.
Në këtë përvjetor, FFK nderon të gjithë ata që kontribuan në krijimin e një federate të pavarur, duke hapur rrugën për një të ardhme të ndritur për futbollin kosovar dhe për t’u bërë përfundimisht pjesë e UEFA-s dhe FIFA-s.