Në futboll, ata që veprojnë në hije për të mundësuar transferimet e tyre, marrin frymë të lehtësuar vetëm kur klienti i tyre nënshkruan kontratën. Pavarësisht se sa mirë është bërë gjithçka dhe sa shumë “Po” thuhen, gjithçka është e pavlerë nëse nuk ka nënshkrim në kontratë. Rasti i Karlo Ançelotit me Brazilin e vërteton këtë.
Gjatë gjithë ditës së martë, u shkëmbyen thashetheme për kontratën që do ta kishte lidhur italianin me “Canarinha”-n, por trajneri nuk e nënshkroi kontratën në Londër, siç kërkohej nga Federate Braziliane e Futbollit CBF dhe u kthye duarbosh në Madrid. Në fund, trajneri u tërhoq kur gjithçka ishte në letër, vetëm firma e tij mungonte, siç raportoi gazeta “Marca”. Kjo është kronologjia e ngjarjeve që turbulluan gjithçka në 48 orët e fundit.
TAKIMET NË MADRID PAS REAL-ARSENAL – “Marca” ka zbuluar praninë e Diego Fernandesh, emisarit të CBF-së, në ndeshjen Real Madrid- Arsenal në Champions League, së bashku me agjentin spanjoll Alvaro Kosta. Këtij biznesmeni do t’i ngarkohej detyra për të kapërcyer pengesat e fundit për ta bërë realitet ëndrrën e Karletos për të qenë në stolin e Brazilit. Iu ngarkua atij të gjente një mënyrë për ta bindur atë të hiqte dorë nga Kupa e Botës për Klube dhe të bashkohej në qershor me Brazilin.
Në fakt, ai do të ishte i pranishëm më 26 maj (La Liga përfundon më 25) për t’u prezantuar dhe për të dhënë listën e tij të parë për dy ndeshjet kundër Ekuadorit dhe Paraguait. Një ditë pas humbjes ndaj Arsenalit, Ançeloti pranoi të gjitha këto në një drekë me të dërguarin e CBF-së për të marrë drejtimin e Brazilit deri pas Kupës së Botës 2026.
KONTAKTE TË REJA PAS HUMBJES NË KUPË – “Marca” saktësoi se agjenti Diego Fernandesh ishte “La Cartuja” për finalen e Kupës së Mbretit. Trajneri u takua me biznesmenin dhe ra dakord që gjithçka do të finalizohej gjatë një udhëtimi në Londër të hënën, ku presidenti i CBF-së, Ednaldo Rodrigues, nuk ishte i pranishëm. Gjatë darkës, të hënën, tekniku tashmë po i vështirësonte punët. Negociatat vazhduan të martën dhe versione të kontratës madje po shkëmbeheshin me Madridin për të përmirësuar gjërat.
Në fund, Karlo nuk firmos dhe kthehet në Madrid pasdite, i shoqëruar nga emisari i Federatës Braziliane. Ai mbërrin me nxitim për seancën stërvitore të pasdites në Valdebebas. CBF-ja ende shpresonte që Karlo do të nënshkruante, por nuk e bën. Është tashmë shumë vonë, rreth orës dhjetë e gjysmë të natës, gjithçka shembet. Karleto thotë se nuk do të nënshkruajë. “Po shkatërrohet, gjithçka po shkatërrohet. Ai tha në takim se Madridi nuk do ta lejojë të nënshkruajë, për habinë e ndërmjetësve”.
ARSYET PSE KARLO NUK FIRMOSI – Ka disa versione këtu, në pritje të një shpjegimi nga Ançeloti. Burime nga CBF thanë për mediat braziliane se Karlo donte të merrte një pjesë të pagës së tij për vitin që kishte mbetur në Madrid. Megjithatë, burime pranë Ançelotit e mohojnë këtë dhe, në fakt, pretendojnë se Madridi nuk ka vënë ndonjë pengesë dhe se ai nuk ka kërkuar kompensim nga klubi. Ajo që duket e qartë, është se problemi rrjedh nga nënshkrimi i një kontrate me Brazilin pa u liruar nga Madridi. Dhe, në këtë rast, është diçka që paraqiste rreziqe për trajnerin me klubin e bardhë.
Në fakt, Madridi i kishte dhënë “dritën jeshile” Karlos për të negociuar, por nuk ishte i gatshëm që italiani të nënshkruante menjëherë, duke besuar se informacioni do të rridhte nga CBF-ja dhe një marrëveshje do të shpallej ndërsa trajneri do të drejtonte Realin në La Liga. Përveç ndonjë surprize të madhe, kjo marrëveshje ka dështuar, megjithëse ka ende disa informacione për t’u mbledhur, madje edhe nga njerëz të përfshirë në negociata, të cilët ende nuk e dinë saktësisht pse Karlo refuzoi. Mund të ketë qenë gjithashtu një burim shqetësimi për Madridin fakti që Karlo u kthye në Madrid dje pasdite i shoqëruar nga emisari i CBFsë, dhe se prania e tij është raportuar nga disa media gjatë disa javëve të fundit.
Përgatiti: LEDJO SEFERKOLLI – PANORAMASPORT.AL