Edhe pse nuk e ka siguruar ende zyrtarisht biletën për në Champions League për sezonin e ri, Juventus synon të rikthehet fuqishëm në Europë, por mbi të gjitha në Serie A, ku titulli kampion mungon që nga viti 2020.
Për të arritur këtë gjë, drejtuesit e klubit bardhezi janë të gatshëm të plotësojnë dëshirat e Luciano Spalletti-t në merkato. Së pari, Juventus synon transferimin falas të tre emrave të njohur. Bëhet fjalë për John Stones dhe Bernardo Silva nga Man. City si dhe Robert Lewandowski-n nga Barcelona. Të tre lojtarëve në fjalë iu skadon kontrata në qershor dhe mund të transferohen falas.
Objektivi i katërt është një njohjë e vjetër e Spalletti-t që nga koha kur drejtonte Romën. Bëhet fjalë për Alisson Becker. Portieri brazilian është gati të rikthehet në Serie A. Kontrata me Liverpool-in skadon në vitin 2027, vlera aktuale e portierit brazilian në treg është 10-15 milionë euro.
Emri i fundit por jo më pak i rëndësishmi është Brahim Diaz, anësori maroken i cili pritet të largohet nga Real Madrid për shkak të minutave të pakta që ka pasur këtë sezon në dispozicion. Vlera e tij në treg llogaritet te 35-40 milionë euro.