Tuesday, 3. February 2026
Sport

🔥 50 gola të Muriqit me Mallorcan, sulmuesi kosovar synon rekordin e Eto’o

GS 03/02/2026 3 Min. Lesezeit

Vedat Muriqi nuk ka të ndalur këtë edicion. Tashmë i ka 15 gola në 21 paraqitje kampionale të këtij edicioni në La Liga. Këtë shifër të golave e kishte në Spanjë vetëm edhe në edicionin 2022/2023, por në 35 ndeshje. Me ecurinë aktuale, 31-vjeçari do të thyej rekorde të shumta personale dhe të Mallorcas.

Ylli i Kosovës të hënën mbrëma udhëhoqi Mallorcan në fitoren 4:1 ndaj Sevillas. Ishte një fitore me vlerë shumë të madhe. Ai realizoi nga penalltia në minutën e 26-të për 1:0. Ndërkohë bëri goditjen te goli për 3:1 dhe topi po shkonte në rrjetë. Por rrugës topi “u fërkua” në shpinën e Sergi Darder dhe u devijua pak. Dhe goli iu evidentua Darderit, ndërsa Muriqit “vetëm” asistim.

Kontributi i Muriqit megjithatë shkoi shumë përtej golit e asistimit. Ai nuk është ndalur duke vrapuar, ka ndihmuar skuadrën edhe në anën defenzive. Dhe në fund erdhi fitorja shumë e vlerësuar.

“Ishte ndeshje vitale për ne. Është dashur të fitojmë dhe shfaqëm intensitet që nga minuta e parë. Arritëm një fitore shumë të rëndësishme dhe bindëse. Shpresojmë për të tjera”, ka thënë Muriqi pas ndeshjes.

Ai ka 50 gola tashmë për Mallorcan. Në La Liga i ka 49. Tani është vetëm pesë gola larg rekordit të Mallorcas për më së shumti gola në elitën spanjolle, që e mban Samuel Eto’o. Ky rekord pritet të bie këtë edicion.

Nëse llogariten të gjitha garat, para Muriqit janë Eto’o me 70 gola dhe Abdon Prats me 59. Por as këto shifra nuk janë të paarritshme për “Piratin”.

Për Muriqin megjithatë më të rëndësishme janë fitoret e skuadrës që po lufton për mbetje në elitën e Spanjës.

“Që nga fillimi kemi bërë presion lartë dhe jemi mbrojtur shumë mirë. Dua të uroj David Lopezin, që bëri punë fantastike. Është dukur që e ka veshur fanellën e Mallorcas për dhjetë vjet”.

Muriqi është pyetur edhe për golin e “mohuar”.

“Një asistim i bukur për Sergin, po. E kam ditur që do të jetë goli i tij. Do të më ndodhë edhe mua një ditë. Jam i gëzuar për të gjithë. Duhet të vazhdojmë kështu dhe mos të bëhemi të vetëkënaqur”, ka thënë Muriqi.

Në La Liga vetëm Kylian Mbappe ka më shumë gola se ai – 22. Ferran Torres është i treti me 12.

“Gjithnjë shpresoj për më shumë gola. Shpresoj se mund ta ndihmoj Mallorcan me më shumë gola”, ka thënë i pandalshmi Muriqi.

Në pjesë të madhe falë golave dhe kontributit të tij, Mallorca është në vendin e 14-të me 24 pikë, sa i kanë edhe Elche e Sevilla.

Të tjerë gola priten nga Muriqi për stabilizim të skuadrës në mesin e tabelës.

 

Teilen: