Monday, 13. April 2026
Sport

50 mijë euro për “kokën” e Laçit, presidenti motivon Pogradecin para sfidës vendimtare

GS 13/04/2026 2 Min. Lesezeit

Gara për 2 vendet e para në Kategorinë e Parë është më e fortë se kurrë. Skënderbeu, Laçi dhe Pogradeci luftojnë për 2 biletat që të çojnë direkt në Abissnet Superiore. Korçarët kryesojnë kampionatin me 73 pikë, kurbinasit ndjekin me 70 pikë, ndërsa liqenorët janë në vendin e tretë me 67 pikë kur kanë mbetur edhe 3 ndeshje nga përfundimi i sezonit të rregullt.

Këtë të dielë luhet ndeshja Laçi-Pogradeci, që mund të vendosë fatet e sezonit. Për të motivuar skuadrën liqenore në këtë fund kampionati presidenti Armand Lilo ka vendos 50 mijë euro premio për fitoren ndaj kurbinasve dhe nëse Pogradeci arrin të ngjitet në Abissnet Superiore, atëherë shpërblimi do të jetë 100 mijë euro.

“Një zhvillim i jashtëzakonshëm vjen nga kampi i KF Pogradeci, ku presidenti Armand Lilo ka vendosur të motivojë maksimalisht skuadrën në prag të përballjes vendimtare ndaj KF Laçi.

Burime zyrtare konfirmojnë se Lilo ka akorduar:

1.  50,000 euro premio për skuadrën në rast fitoreje në ndeshjen ndaj Laçit.

2.  Një super-premio prej 100,000 eurosh nëse skuadra arrin të sigurojë ngjitjen në Superligë.

Ky vendim vjen në një moment kyç të sezonit, ku “Liqenorët” janë më të motivuar se kurrë për të realizuar objektivin madhor. Atmosfera në skuadër raportohet elektrizuese, ndërsa kjo shtysë financiare pritet të ndikojë drejtpërdrejt në performancën në fushë.

Presidenti Lilo duket i vendosur për të rikthyer Pogradecin aty ku i takon, në elitën e futbollit shqiptar, duke dhënë një mesazh të qartë: nuk do të kursehet asgjë për suksesin e klubit. Tashmë, të gjithë sytë janë te sfida ndaj Laçit… ku përveç krenarisë, në lojë janë edhe shifra të mëdha!”, shkruhet në njoftimin e klubit.

Teilen: