Tuesday, 22. September 2026
Sport

​5:0 ndaj ruses, Sadiku: Jam e gatshme për çdo kundërshtar

GS 22/09/2026 2 Min. Lesezeit

Donjeta Sadiku ka nisur me fitore rrugëtimin në Kampionatin Evropian të boksit “Sofje 2026”, që po zhvillohet në Bullgari.

Boksierja kosovare triumfoi bindshëm 5:0 ndaj ruses Alina Pushkar në kategorinë deri në 60 kilogramë, duke dominuar duelin nga fillimi deri në fund.

Sadiku zhvilloi paraqitje të shkëlqyer në të tri raundet, ndërsa në të dytin e detyroi referin të numëronte nokdaun ndaj boksieres ruse. Në fund, të gjithë gjyqtarët ia dhanë fitoren kampiones kosovare.

Pas triumfit, Sadiku tha se përballë kishte një kundërshtare shumë të fortë, por theksoi se ishte më e mirë në ring dhe se synimi i saj është të përballet me boksieret më të mira të kategorisë.

“Këtu Donjeta Sadiku nga Kosova. Sot kalova ndeshjen e parë, po ashtu me një sfidë shumë të madhe, një boksiere shumë të mirë e cila vjen nga Rusia. Mirëpo unë isha më e mirë dhe korra në fund fitore. Unë kam ardhur me një qëllim, me një synim shumë të qartë që të përballem me boksieret më të mira të cilat i kam në kategorinë time. Kështu që jam e gatshme për çdo kundërshtar tjetër që më del në ring. Faleminderit!”, ka thënë Sadiku.

Me këtë fitore, Donjeta Sadiku vazhdon rrugëtimin në Kampionatin Evropian “Sofje 2026”, me synimin për të shkuar sa më larg në garën evropiane.

Teilen: