Ministri i Punëve të Brendshme, Ervin Demo, ka reaguar pas dhunës së regjistruar gjatë protestës së djeshme (14 tetor) në kryeqytet, ku 51 punonjës të Policisë së Shtetit janë lënduar gjatë përplasjeve me protestuesit. Demo bëri të ditur se disa prej efektivëve ndodhen në Spitalin Ushtarak, ku po marrin kujdesin e nevojshëm mjekësor. Ai dënoi dhunën ndaj punonjësve të policisë, duke theksuar se e drejta për të protestuar është e garantuar, por ajo nuk mund të përdoret si justifikim për sulmet ndaj forcave të rendit.
“Pas çdo uniforme është një njeri. Një prind, një bir, një bijë, një familjar që ka dalë nga shtëpia për të përmbushur detyrën dhe për të garantuar sigurinë e qytetarëve”, u shpreh Demo.
Ai e cilësoi dhunën ndaj efektivëve të papranueshme në çdo rrethanë, duke vlerësuar profesionalizmin dhe përkushtimin e punonjësve të policisë, të cilët, sipas tij, qëndruan në krye të detyrës pavarësisht rrezikut.
“Mirënjohje dhe respekt për çdo punonjës policie që sot, përballë dhunës dhe rrezikut, qëndroi në krye të detyrës me profesionalizëm, përkushtim dhe përgjegjësi”, deklaroi ministri.
Reagim i ministrit Demo:
51 punonjës të Policisë së Shtetit janë lënduar gjatë akteve të dhunës së sotme. Disa prej tyre ndodhen aktualisht në Spitalin Ushtarak, ku po marrin kujdesin e nevojshëm mjekësor. Pas çdo uniforme është një njeri. Një prind, një bir, një bijë, një familjar që ka dalë nga shtëpia për të përmbushur detyrën dhe për të garantuar sigurinë e qytetarëve.
Dhuna ndaj punonjësve të Policisë së Shtetit është e papranueshme dhe nuk mund të justifikohet në asnjë rrethanë. E drejta për të protestuar është e garantuar, por dhuna ndaj atyre që kanë për detyrë të mbrojnë rendin dhe sigurinë nuk është dhe nuk mund të jetë kurrë pjesë e saj. Mirënjohje dhe respekt për çdo punonjës policie që sot, përballë dhunës dhe rrezikut, qëndroi në krye të detyrës me profesionalizëm, përkushtim dhe përgjegjësi. Ju uroj shërim sa më të shpejtë të gjithë efektivëve të lënduar! Jemi pranë jush dhe familjeve tuaja. Pas uniformës është njeriu. Pas detyrës është sakrifica. Dhe kjo sakrificë meriton respektin e të gjithëve.
/rtsh.al/