“Ky është fillimi i fitimit të Kupës së 16-të Europiane”, tha Florentino Perez sapo përfundoi finalja e “Uembli”-t e fituar 2-0 kundër Borusias së Dortmundit. Sfida e re tashmë është vendosur dhe është shenjë dalluese e një skuadre dhe një klubi që nuk mendon se ka kuptim që të jetojë me suksesin e së shkuarës. Karlo Ançeloti e kupton dhe e zbaton më mirë se askush tjetër këtë filozofi. Është pjesë e përditshmërisë së Real Madridit dhe trajneri është i pari që e merr të mirëqenë.
Deri më tani, vetëm Bajerni i Mynihut në vitin 2020 dhe Barcelona në vitin 2009 kanë arritur që të fitojnë gjashtë trofetë e një sezoni të plotë. Por tani, sfida e skuadrës së bardhë është të gjejë një thesar që askush s’ka mundur ta eksplorojë deri më tani. Është një rrugë e panjohur, vetëm brenda mundësive të kampionëve aktual të Evropës. Reali i Madridit e ka vendosur në shënjestër këtë Ligë të re të Kampioneve, e cila ndryshon format prej sezonit të ardhshëm. Por përpara tyre është një sfidë që asnjë klub nuk e ka pasur në histori dhe është ajo që tregon për mundësinë e fitimit të shtatë trofeve në një sezon të vetëm, duke nisur nga Superkupa e Europës më 14 gusht, që do të luhet në Varshavë me Atalantën si rival. Italianët janë fituesit e Ligës së Europës. Faza tjetër e maratonës do të zhvillohet më 18 dhjetor me rikthimin e Kupës Ndërkontinentale. Kampioni i Ligës së Kampioneve, pra Reali i Madridit, ka një vend të përcaktuar në finale. Konfederatat e tjera do të luftojnë për mundësinë e fitimit të një titulli për të cilin tashmë konkurrojnë madrilenët, padiskutim favoritë.
Turneu do të zhvillohet në Arabinë Saudite me Superkupën e Spanjës, kompeticion i të cilit është kampion aktual. Kupa do të shfaqet në horizont në muajin janar, së bashku me ndeshjet e fundit të Ligës së Kampioneve. Në kampionat ata shpresojnë që të jenë në garë për titullin deri në fund, me La Ligën që do të jetë sërish një nga objektivat e mëdha të kampionëve të Europës. Por sfida e madhe e madrilenëve do të vijë mes muajve qershor dhe korrik, me Kupën e Botës për Klube. Shtetet e Bashkuara të Amerikës pritet të kenë një format me 32 skuadra dhe sfidën e të qenit kampion i parë i një kompeticioni, të krijuar nga FIFA me ndihmën e disa prej klubeve më të mëdha në botën e futbollit, përfshirë edhe Realin e Madridit. Botërori i lartpërmendur i Klubeve do të jetë objektivi i madh së bashku me Ligën e Kampioneve vitin e ardhshëm.
Është diçka e re, e panjohur dhe tërheqëse nga çdo këndvështrim për ideologjinë e Realit të Madridit për të qenë një klub universal. Janë shtatë sfida, shtatë trofe që do të fillojnë në harkun e dy muajve dhe do të përfundojnë në mes të korrikut 2025. Por nëse ka një klub që mund t’i përqafojë sfida të tilla dhe të hyjë në histori edhe për një tjetër rekord, a ka sfidant më të mirë sesa madrilenët e Ançelotit?
PANORAMASPORT.AL