Prej muajsh lufton me një sëmundje, natyrën e së cilës nuk ka dashur ta zbulojë, “që të mos bëhej qendra e vëmendjes”. Por nesër, në moshën 80-vjeçare, Mircea Lucescu do të drejtojë Rumaninë në kërkim të një vendi në Botëror, çka mungon prej 28 vitesh.
“Kur mjekët më thanë se mund të vazhdoja të trajnoja, u përqendrova tek ajo që duhet të bëja për Rumaninë, – tha ai për “The Guardian”, në prag të ndeshjes me Turqinë. – Fola me federatën dhe më thanë se nuk gjenin zgjidhje. Nuk jam në formën më të mirë, ndaj do të tërhiqesha nëse do të kishte një alternativë. Sidoqoftë këmbëngul; nuk mund të largohem si frikacak. Duhet të besojmë te kualifikimi”.
Në muajt e fundit është shtruar tri herë në spital, por ka qëndruar në kontakt të vazhdueshëm me skuadrën, duke analizuar Turqinë: “Do të luajmë në një atmosferë të pamundur. E njoh mirë si është stadiumi i Besiktas. Nuk di si ta përballosh zhurmën, duhet t’iu shpjegoj lojtarëve çfarë i pret”.