Lautaro Martinez dhe Markus Turam po shndërrohen në një çift ëndrrash. Dyshja po fluturon në të njëjtën lartësi me yjet e mëdhenj europianë dhe tashmë i gjejmë pranë Halandit, Mbapesë, Kejnit dhe Grizmanit.
Zikaltrit kanë shënuar 17 gola në 13 ndeshje zyrtare mes Ligës së Kampioneve dhe Serisë A (pa i luajtur madje të gjitha si titullar) duke u pozicionuar si dyshja e pestë më pjellore në mesin e “top” klubeve. Dhe është e qartë pse sot Interi është në krye të Serisë A dhe me një këmbë tashmë në 1/8-at e Ligës së Kampioneve. Këtu është motori i një makine praktikisht perfekte sot, në ekuilibër dhe rezultate, pika e fortë në garën për kampionatin.
KIMIA – Lautaro dhe Turam janë një çift i pastër dhe mund të konsiderohen të një epoke tjetër, duke qenë se sot në Europë mes skuadrave të mëdha, përveç Interit, vetëm Real Madridi (ndonëse në një mënyrë atipike) dhe Atletiko luajnë me dy sulmues. Si kriter, për të gjitha top klubet e tjera është zgjedhur qendërsulmuesi titullar dhe pranë tij lojtari tjetër ofensiv me numrin më të madh të golave. Në krye janë bavarezët Kejn dhe Sane me 23 gola në total dhe pastaj “qytetarët” Haland dhe Alvarez me 20 gola. Me vetëm një gol më shumë se zikaltrit renditen parisienët Mbape e Kolo Muani dhe lojtarët e Simeones, Morata e Grizman. Por “TuLa” spikat jo vetëm si dyshja më e mirë në Itali, por mbi të gjitha sepse është një lloj mrekullie sportive, sepse është një çift i sapolindur. Dy muaj e gjysmë ndeshje, ndjenja të ndërtuara ditë pas dite, lidhje të krijuara në Apiano dhe të përsëritura në “San Siro” ose larg tij. Të dy kërkojnë njëri-tjetrin dhe e gjejnë njëri-tjetrin. Në fushë shkëmbejnë shpesh pozicione, por pothuajse asnjëherë detyra. Sepse Turam është përgjegjës për lidhjen më të madhe të lojës me mesfushën, ndërsa Lautaro vëzhgon dhe mbledh çdo top të mundshëm.
VLEJNË 200 MILIONË – Lautaro dhe Turam janë shembulli ideal i konceptit të kapitalizmit të aplikuar në futboll, nëse dikush dëshiron të thellohet edhe në aspektin ekonomik. Kapiteni mbërriti në vitin 2018 nga Rasing për 25 milionë euro përfshirë bonuset. Sot, nëse do të përfundonte në merkato, “demi” do të vlente gjashtë herë më shumë, 150 milionë është shuma që do të kërkonte Interi. Gjithsesi, argjentinasi nuk pritet të përfundojë në merkato, pasi kanë nisur tashmë bisedimet për rinovimin. Turam nga ana tjetër është në kufijtë e një kryevepre. Mbërriti me parametër zero dhe për dy muaj e gjysmë vlen 70 milionë euro, falë drejtuesve, trajnerit, por mbi të gjitha falë vetvetes. Merita më e madhe i takon vetë francezit, kokëfortësisë dhe shpejtësisë me të cilën arriti të afirmohej, mënyra se si u paraqit në verë dhe si e ka fituar vendin e tij tek Interi.
PANORAMASPORT.AL