Drejtori sportiv i Njukasëll, Den Ashuorth, ka bërë të ditur sot në konferencë për shtyp se klubi ka nisur një hetim rreth situatës së Sandro Tonali dhe dënimit të këtij të fundit për çështjen e basteve sportive. Sigurisht, është diskutuar edhe fakti që këto probleme ishin trashëguar nga periudha kur ai kishte qenë pjesë e Milanit dhe nëse klubi anglez po mendonte të ndërmerrte hapa ligjorë ndaj kuqezinjve nëse këta të fundit rezulton se dinin gjithçka.
“Është e vështirë për mua të flas për çështje që klube të tjera dinë apo jo. E vetmja gjë që mund të bëjmë është të bëjmë një hetim të brendshëm dhe procesin tonë të brendshëm. Kjo është një pyetje me të vërtetë e vështirë për t’u përgjigjur, thjesht nuk e di”, tha ai fillimisht, teksa shprehu pakënaqësinë mbi mënyrën se si ishte marrë vesh gjithçka.
“Ne e mësuam për herë të parë kur doli një akuzë potenciale në rrejtët sociale. Federata Italiane shkoi në Koverçiano për të folur me Sandron. Në 48 orët pas kësaj, çdo gjë ndodhi shumë shpejt dhe ekzistonte rreziku që do të akuzohej.
Mendimi ynë i parë ishte të mbronim lojtarin tonë, është pjesë e familjes dhe i duhej dhënë ndihma dhe mbështetja e nevojshme. Deshëm të kuptonim saktësisht çfarë kishte ndodhur dhe të punonim në mënyrë transparente me autoritetet. Edhe Sandro dëshironte ta bënte një gjë të tillë që në fillim.
Gjoba apo ulje rroge? Mund ta shihni situatën edhe në këtë mënyrë, brenda kontratës ka gjithmonë një lloj fleksibiliteti. Varet gjithçka nga mënyra se si reagojnë kur thyejnë një rregull, etj. Si klub, ne e dimë se si veproi Sandro që në momentin kur shpërtheu kjo çështje”, tha drejtori i Njukasëll.
PANORAMASPORT.AL