Disfata ndaj Realit në “El Clasico”-n e parë për sezonin 2023-2024 dhe aq më tepër në rrjedhën se si shkoi loja nuk ka lënë shije aspak pozitive në kampin e katalanasve. Pas pushimit dyditor të besuarit e Ksavi Hernandez janë grumbulluar si zakonisht. Trajneri i tyre ka udhëhequr grupin, teksa ka mbajtur edhe një fjalim përpara tyre, që kishte si synim analizimin e disfatës kundër rivalëve të Realit.
Po ashtu u fol edhe për fjalët e “tepërta” të Ilkai Gyndoanit, shoqëruar me veprimin e këtij të fundit. Në rrëfimin për “Radio Barcelona”, “maestro” i Barçës ka folur me detaje.
JUSTIFIKIMI I GYNDOANIT-“Dua të jem i sinqertë pa e tepruar, sepse nuk më pëlqen të them fjalë të gabuara. Të gjithë ishin të zhgënjyer pas disfatës në një ndeshje kaq të rëndësishme. Ata duhet t’i shprehin më tepër emocionet. Girona dhe Reali gjenden para nesh në tabelë dhe si mund t’i rrëzojmë prej aty?! Sigurisht me punë, përkushtim dhe vullnet të hekurt, sepse nëse nuk e bëjmë vështirë t’i arrijmë.
Nuk iu referova asnjë lojtari si fajtor. S’kam ardhur këtu për të humbur të tilla ndeshjes apo për të krijuar përçarje mes lojtarëve, përkundrazi. Gëzoj edhe përgjegjësinë si veteran, e ku të tilla elemente duhet t’i eliminojmë. Duhet durim”, ishin fjalët e Gyndoan, të cilat morën notat e një shpagimi pas kritikave në media e më gjerë. Në prezencën e mesfushorit 32-vjeçar gjendej edhe trajneri, i cili e mbështeti.
KSAVI HERNANDEZ-“E kuptoj dhe mirëkuptoj reagimin e Gyndoanit. Ai është një djalë i zgjuar dhe me mentalitet fituesi. Etapat që ka kaluar në karriere e kanë formuar si futbollist. Grupi duhet të mësojë dhe udhëhiqet prej futbollistëve me më shumë përvojë. As nuk e vë në dyshim qëllimin e mirë prej Ilkait në zjarrin e momenti përgjatë dhomave të zhveshjes pas humbjes në ‘El Clasico’. Koha ta hedhim pas krahëve humbjen dhe të fokusohemi te dueli me Sociedadin”, përfundoi Ksavi Hernandez, në petkun e “timonierit” të kampionëve në La Liga.
PANORAMASPORT.AL