Tifozët e Fiorentinës e presin gjithmonë me shumë entuziazëm ndeshjen ndaj Juventusit, skuadër me të cilën kanë një rivalitet të zjarrtë e një urrejtje të thellë. Por këtë herë, ata nuk duan që të dielën në stadiumin e qytetit të tyre të zhvillohet sfida mes dy skuadrave.
Grupimi i ultrasve të skuadrës së qytetit të Firences, ”Curva Fiesole”, ka protestuar zyrtarisht për zhvillimin e ndeshjes këtë fundjavë, si pasojë e furtunës “Ciaran” e cila ka goditur rëndë Toskanën me dëme ekonomike e viktima.
“Një pjesë e qytetit tonë është plotësisht në gjunjë, shtëpi të shkatërruara, jetë të ndërprera dhe ndërsa vazhdon të bjerë shi, mendohet që të luhet ndeshja e të dielës sikur të mos kishte ndodhur asgjë.
Në mënyrë të qartë, të vendosur dhe kategorike, “Curva Fiesole” kërkon që ndeshja të shtyhet, që energjitë dhe burimet t’i kushtohen ekskluzivisht njerëzve tanë në vështirësi dhe jo që të zhvillohet një eveniment sportiv.
Kërkojmë respekt për viktimat, për ata që kanë humbur gjithçka në pak orë dhe që tani ndjehen ende të braktisur, pa drita dhe gaz, të rrethuar nga uji”, shkruhej në komunikatën e ultrasve të Fiorentinës.
PANORAMASPORT.AL