Trajneri i famshëm, Mirçea Luçesku vendosi në mënyrë të papritur t’i japë fund karrierës në moshën 78-vjeçare.
Rumuni, e filloi karrierën si trajner në vitin 1979, teksa prej tre vitesh ishte në krye të Dinamo Kievit në Ukrainë dhe pas disfatës së fundit ndaj Shakhtar Donjetsk, theksoi se do të tërhiqej përfundimisht nga futbolli.
Luçesku, u shpreh se nuk mund të vazhdojë më kur sheh stadiume bosh si pasojë e luftës. Gjatë karrierës së tij të gjatë, 78-vjeçari rumun, ka drejtuar 15 skuadra të ndryshme, në Itali, Pizën, Breshian, Rexhianën dhe Interin ndërsa ka pasur eksperienca me kombëtaren e Rumanisë e Turqisë.
Të tjera skuadra në nivel klubesh që u drejtuan nga Luçesku janë Corvinul Hunedoara (aty ku nisi karrierën), Dinamo Bukuresht, Rapid Bukuresht, Gallatasarai, Beshiktash, Shakhtar Donjetsk, Zenit dhe së fundmi, Dinamo Kiev.
“Kjo ishte ndeshja ime e fundit. Në 15 vitet e fundit i kam dhënë gjithçka kam mundur futbollit ukrainas. Por, kështu nuk mund të vazhdohet përpara, lufta, stadiumet e boshatisura, minutat e heshtjes para sfidave.
Dinamo Kiev do të ketë një të ardhme shumë të bukur, por unë nuk do të jem pjesë e tyre. I uroj paqe dhe shëndet të gjithëve.
Sigurisht që do të kisha dashur të përfundoja ndryshe, por çdo gjë ka fundin e saj. Kjo vlen për një karrierë futbolli, për vetë futbollin dhe për jetën. Çdo gjë ka një fillim dhe një fund”, u shpreh Luçesku.
PANORAMASPORT.AL