Simone Inzagi e lejon Salcburgun të lodhet dhe kur vjen momenti i duhur për të goditur hedh në fushë Lautaro Martinezin që shkruan fundin e historisë.
“Demi” shënon me penallti, vazhdon rekordin e zikaltërve që kanë shënuar 7 nga 7 të tillë, duke u bërë skuadra që ka realizuar më shumë në këtë mënyrë në pesë kampionatet kryesore europiane dhe dërgon në fazën e 1/8-ave Interin kur ka ende dy ndeshje për t’u luajtur në fazën e grupeve. Kualifikimi me dy ndeshje të mbetura ndodhte për herë të fundit në 2004-2005 dhe është një arritje që do t’i lejojë skuadrës së Inzagit të përballet me më pak shqetësime ndeshjen e radhës të Ligës së Kampionëve në Lisbonë kundër Benfikës, një transfertë që do të vijë pas ndeshjes si mysafir në Torino kundër Juves (26 nëntor) dhe para asaj në “Maradona” kundër Napolit (3 dhjetor).
LAUTARO – Lautaro hyri dhe vendosi, ashtu siç ndodhi në transfertën e Salernos në kampionat, kur shënoi 4. Janë 14 gola të sezonit në 15 ndeshje dhe me penalltinë e shënuar, “demi” kaloi Hernan Krespon dhe u bë golashënuesi më i mirë i Interit jashtë shtëpisë në kompeticion me 9 gola. Interi nuk mund të bëjë pa kapitenin e tyre, por edhe një herë demonstroi cilësinë e gjithë grupit të tyre në Salcburg.
ALTERNATIVAT – Inzagi u jep besim të gjithë lojtarëve të tij dhe rotacioni për t’i bërë titullarët të marrin frymë të paktën për një pjesë të ndeshjes funksionon mirë. Këtë herë është radha e Bisek që të hyjë nga fillimi dhe gjermani i lindur në vitin 2000 jep një test personaliteti: me kokën lart dhe pa frikë, me vetëbesim prapa dhe proaktiv përpara. Ai largohet pas kartonit të verdhë, por rezultati i tij debutues është padyshim i mirë. Dhe pastaj është Asllani, i cili hyn shumë mirë në lojë në vend të një Çalhanoglu që nuk shkëlqeu në mbrëmje, duke demonstruar rritje të vazhdueshme (“Çdo ditë ai po më bind gjithnjë e më shumë”, tha trajneri zikaltër për të në fund të ndeshjes).
Duke realizuar objektivin e parë të sezonit, i cili për klubin kap vlerën e 20 milionë eurove mes kalimit në fazën e 1/8- ave (10 milionë), të cilit i shtohen edhe të ardhurat e caktuara në “San Siro” dhe fitimet komerciale, Interi mund të përqendrohet në kampionat. Frozinone mbërrin në “San Siro” të dielën në mbrëmje dhe ka vendin e parë për të mbrojtur para pauzës së kombëtareve dhe në funksion të përplasjes direkte me Juventusin.
PANORAMASPORT.AL