Sulmuesi dhe kapiteni i kombëtares spanjolle, Alvaro Morata, duket se po kalon ditë të mira në karrierën e tij. Ai duket i rigjeneruar në klubin e tij, Atletiko e Madridit. Por edhe me kombëtaren spanjolle gjithçka po shkon mirë për të. Çdo top që ai prek duket se përfundon në rrjetë.

Shifrat tregojnë se në 14 takime mes Ligës spanjolle dhe Ligës së Kampioneve, Morata ka shënuar 12 gola, pa llogaritur rrjetet me “La Roja”-n. Ndoshta ky është momenti më i mirë i karrierës së tij, por për të menduar për “Topin e Artë”, Morata nuk kërkon të ç’ekuilibrohet në deklaratën e tij.
“Jo, as që e çoj ndër mend”, u përgjigj ai shpejT në një event publicitar me skuadrën spanjolle. Gati duke qeshur, Morata bëri shaka. “’Topi i Artë’ është për Rodrin që po fluturon”, shtoi ai. Sulmuesi është i qartë se çfarë dëshiron: “Një titull kampion Europe me Spanjën ose një titull Botëror. Këto janë ato çfarë mendoj, nuk mendoj për ato gjëra [’Topi i Artë’]”.
PANORAMASPORT.AL


