Mbrëmja e nesërme do të jetë një festë madhështore për gjithë shqiptarët anë e mbanë botës, teksa do të festohet edhe zyrtarisht kualifikimi në Evropian.
Me një “Air Albania”, të mbushur plot e për plot, kuqezinjtë e Silvinjos, do të kërkojnë ta festojnë me një fitore ndaj Ishujve Faroe, këtë sukses madhështor të arritur, për sa i përket kualifikimit, shkruan Panorama.
Duke patur parasysh faktin se përballë është një rival modest, ashtu siç u tha edhe në konferencë për shtyp, trajneri Silvinjo është i prirur të bëjë disa ndryshime. Plot 6 pritet të jetë numri i ndryshimeve të bëra nga Silvinjo, në krahasim me sfidën e fundit.
Në mesin e shtyllave pritet të luajë Strakosha, ndërsa përpara tij do jenë të vendosur Mitaj, Balliu, Ismajli dhe Gjimshiti.
Mesfusha përbëhet nga Ramadani dhe Bare. Mirlind Daku do ketë mbështetjen e Uzunit dhe Asanit nga krahët, ndërsa Muçi prapa shpinës së tij. Pra, Strakosha, Balliu, Bare, Muçi, Uzuni dhe Daku, pritet të jenë 6 futbollistët e rinj që mund ta nisin nga minuta e parë duelin ndaj Ishujve Faroe, që do të jetë dhe i fundit në grupe.
Formacioni i mundshëm: Strakosha, Mitaj, Ismajli, Gjimshiti, Balliu, Ramadani, Bare, Asani, Uzuni, Muçi, Daku.