Jo vetëm Raspadori dhe Skamaka: në “Euro 2024”, Spaletti duhet të zgjedhë kujt t’i besojë sulmin. Zgjedhjet e trajnerit do të varen nga minutazhi, forma dhe mbi të gjitha… golat.
RASPADORI (NAPOLI) – Spaleti e donte fort në Napoli dhe pavarësisht konkurrencës nga Osimheni, ai gjeti te Xhek një sulmues të besueshëm, të gatshëm të sakrifikohej për ekipin.
SKAMAKA (ATALANTA) – Së bashku me Raspadorin, ish-shoku i tij i skuadrës te Sasuolo, Skamakla ishte në krye të preferencave të Spaletit në daljet e tij të para si trajner i ekipit kombëtar.
KEN (JUVENTUS) – Të gjithë e pëlqejnë Moisen. Alegri e preferon atë përpara Vlahoviçit, ndërsa Spaleti (për momentin) e sheh atë më mirë se Imobile. Cilësitë e lojtarit, i cili mund të luajë edhe në krah nëse është e nevojshme, nuk mund të diskutohen.
RETEGUI (XHENOA) – Roberto Mançini e peshkoi në Argjentinë, duke e bindur të pranonte ftesën nga Italia, vendi i origjinës së gjyshërve të tij që emigruan në Amerikën e Jugut. Retegui e priti me entuziazëm propozimin dhe në verë kërkoi të transferohej në Itali. Ndikimi me Serinë A ishte pozitiv, por disa dëmtime dhe ndryshimi i trajnerit nuk e ndihmuan.
IMOBILE (LACIO) – Kapiteni i Lacios është golashënuesi më i mirë aktiv në historinë e kombëtares. Tridhjetë e katër vjeç bën më 20 shkurt, 4 gola këtë sezon mes Serisë A dhe Championsit, por tani për tani Spaleti nuk e konsideron atë vendimtar. Por Çiro, gjatë karrierës së tij, gjithmonë ka treguar se flet në fushë dhe nëse sulmuesi shënon të paktën 20 gola në vit, do t’i kishte dyert e hapura.
PETANJA (KALJARI) – Ai u transferua në Sardenjë, sepse dëshiron të ndihet si protagonist dhe ndoshta të rifitojë një vend në ekipin kombëtar. Nisja e kampionatit, jo për Andrean, por për Kaljarin në përgjithësi ishte më e vështirë nga sa pritej. Tani skuadra e Ranierit duket se ka gjetur formën e duhur dhe mund të përfitojë edhe qendërsulmuesi.
PINAMONTI (SASUOLO) – Nga ylli i Sasuolos te titullar i kombëtares: Skamaka dhe Raspadori e kanë bërë tashmë, ndoshta ai do të jetë i radhës. Andrea Pinamonti krenohet me një mesatare prej një gol në çdo tre ndeshje pas dymbëdhjetë javësh në Serie A. Në 2021-2022 ai shënoi trembëdhjetë me Empolin, duke e bindur Mançinin që ta lejonte të debutonte me Italinë.
KOLOMBO (MONZA) – Fillimisht Spali, pastaj Leçe dhe tani Monza: Milani vazhdon të dërgojë Kolombon në huazim, duke pritur që ai të jetë gati për të luajtur letrat e tij te kuqezinjtë. Megjithatë, Lorenco tashmë po performon mbi pritshmëritë, duke shënuar gola të shkëlqyer, që i kanë garantuar atij besimin e Paladinos. Duke vazhduar kështu, dyert e Koverçanos mund të hapen edhe për të.
PELEGRI (TORINO) – Shpërthyes, i mirë në lojën me sponde dhe përpara porte. Ish-fëmija mrekullibërës i Xhenoas shpesh përballej me lëndime, por këtë vit ai gjeti hapësirë dhe vazhdimësi me Torinon e Juriç.
LUKA (UDINEZE) – Eksperienca me Ajaksin nuk ishte emocionuese, por tashmë Lorenco është rikthyer në Itali dhe po mëson për Serinë A. Ai tashmë ka shënuar dy gola me Udinezen, duke luajtur në të gjitha ndeshjet e pjesës së parë të kampionatit. Në moshën 23- vjeçare, ai ka ende kohë për t’u rritur dhe përmirësuar.
PANORAMASPORT.AL