Stefano Pioli deklaroi pas ndeshjes Milan-Dortmund (1-3) se djemtë e tij luajtën mirë për një orë, por në Champions League duhet të shfrytëzosh në maksimum rastet e krijuara.
Kuqezinjtë renditen në vendin e fundit në grup me vetëm 5 pikë të grumbulluara në po kaq takime. Sfida e fundit do të zhvillohet në “St. James Park” përballë Newcastle.
“Ishte një mbrëmje shumë negative. Zhvilluam një ndeshje të mirë deri kur rezultati shkoi 1-2. Përveç episodeve, ndeshjen e kontrolluam ne deri në minutën e 60’, por duhen shfrytëzuar rastet e krijuara.
Ata janë të pamërshirshëm në kundërsulme, ne ua bëmë më të lehtë. Pas golit të dytë të tyre vuajtëm shumë, e patëm të vështirë të reagonim.
Dëmtimet? Jam i shqetësuar, pasi kemi pësuar shumë dëmtime në repartin e mbrojtjes. Ndikojnë edhe ndeshjet e shumta.
Ndodhemi në një moment delikat. Kualifikimi nuk varet nga ne, por do të ikim në Angli për të zhvilluar një ndeshje të madhe ndaj Newcastle.
Tifozët? Është e vështirë të gjesh fjalët e duhura, nuk mendoj se tifozët kanë nevojë për fjalët e mia…
Kanë të drejtë të jenë të zhgënjyer, duhet të bëjmë më mirë”, u shpreh Pioli pas ndeshjes.