Viti 2024 do të sjell ngjarjet të mëdha të basketbollit ndërkombëtar në Kosovë.
Fillimisht, në datat 08-09 qershor 2024, Prishtina do të jetë nikoqire e FIBA 3×3 Europe Cup Qualifier, një garë kjo e rëndësishme e disiplinës 3×3, ku 15 shtete në të dyja konkurrencat do t’i matin forcat për të siguruar një vend në FIBA 3×3 Europe Cup, pra fituesit e FIBA 3×3 Europe Cup Qualifier 2024 kualifikohen direkt në FIBA 3×3 Europe Cup të po njëjtit vit.
Kosova në këtë garë do të paraqitet me të dyja konkurrencat.
Prej 25 deri më 30 qershor në Prishtinë, FBK do të jetë për herë të parë organizatore e FIBA Kampionatit Evropian për Shtete të Vogla – Femrat, në të cilin Evropian do të marrin pjesë 8 shtete, ndërsa FBK ka filluar qysh tani të mobilizohet për të ndërtuar një skuadër, e cila do të ketë paraqitje dhe synime më të mëdha se sa në dy edicionet e para kur ka marr pjesë në këtë garë.
Më 18 dhe 19 korrik, klubi 3×3 Prishtina në bashkëpunim me FBK, Ministrinë për Kulturë, Rini e Sport dhe Komunën e Prishtinës do të jetë nikoqire e FIBA 3×3 Women’s Series, kurse prej 20 deri më 21 korrik do të organizohet një tjetër event prestigjioz si FIBA 3×3 Challenger Prishtina. Kjo është hera e dytë radhazi që këto gara i besohen klubit 3×3 Prishtina nga FIBA, falë mbështetjes së madhe nga FBK. Edhe në këto gara, Kosova do të paraqitet me të dyja konkurrencat, ku qëllimi është që të rritet niveli i lojës për dallim nga ai i vitit 2023.
Ngjarja e fundit që do ta organizoj FBK në verën e vitit 2024 është FIBA U18 Kampionati Evropian, Divizioni C për Femra prej 23 deri më 28 korrik, në të cilën garë do të marrin pjesë 8 shtete, kurse Kosova synon të ketë paraqitje dhe rezultate dukshëm më të mira se sa në verën e këtij viti.
Duhet theksuar se FBK prej vitit 2018 rregullisht është organizatore e garave të FIBA-s për FIBA Kampionatet Evropiane të Gjeneratave të Reja, derisa së fundi ka nisur t’i besohet edhe organizimi i aktiviteteve të 3×3, falë interesimit të madh të Federatës për të zhvilluar këtë disiplinë në vendin tonë.