Federata e Futbollit e Kosovës shënoi një hap të rëndësishëm këtë mesjavë, duke organizuar për herë të parë Kampin e Talenteve në SHBA.
Aktiviteti u zhvillua në New York më 28 dhe 29 nëntor, me pjesëmarrjen e 75 futbollistëve të grupmoshave U15, U17 dhe U19. Përzgjedhësit e kombëtareve të këtyre grupmoshave, Ilir Nallbani, Arbnor Morina dhe Adil Maliqi, udhëhoqën stërvitjet dhe vlerësuan potencialin e lojtarëve pjesëmarrës.
“Komuniteti shqiptar në SHBA ka reaguar me mirëseardhje të ngrohtë ndaj këtij organizimi, duke e përgëzuar FFK-në për përkushtimin ndaj zhvillimit të talenteve të futbollit në diasporë. Ky kamp ofroi një platformë unike për lojtarët e rinj shqiptarë në Amerikë, duke iu mundësuar atyre që të prezantojnë aftësitë e tyre të futbollit para përzgjedhësve të ekipeve kombëtare. Në këtë kamp, përzgjedhësit vlerësuan potencialin e pjesëmarrësve, duke shprehur bindjen se disa prej tyre do të kenë rritje të ndjeshme në të ardhmen. Ata do të vazhdojnë të përcjellin zhvillimin e tyre në klube dhe varësisht prej performancave të tyre do të vendosin rreth grumbullimit të tyre në ekipet kombëtare”, shkruhet në njoftimin e FFK-së, përcjell lajmi.net.
FFK planifikon ta bëjë këtë kamp një traditë vjetore, duke vazhduar të përkrahë zhvillimin e talenteve dhe duke krijuar mundësi të barabarta për lojtarët shqiptarë në SHBA që të integrohen në ekipet e Kombëtares së Kosovës në të ardhmen. /Lajmi.net/