Të gjitha skuadrat pjesëmarrëse kanë nisur punë konkrete për të planifikuar pjesëmarrjen në Euro 2024. Ashtu si drejtuesit e FSHF-së, edhe homologët e Italisë kanë bërë të njëjtën gjë duke u vënë në punë për të mbyllur që tani marrëveshjet me hotelin e kampit stërvitor në Gjermani, por edhe me skuadrat me të cilat do të bëjë miqësore.
“La Gazzetta Dello Sport” ka zbërthyer planin që po diskutohet nga FIGC për pjesëmarrjen në aktivitet, në mënyrë që Spaleti të nisë i qetë punën. Gjithçka fillon nga hoteli dhe diskutohet që Italia do të qëndrojë në zonën e Ruhrit, pasi ka afër aty dy nga stadiumet ku do të luajë ndeshjet në grupe, duke filluar nga ai i Dortmundit ku përballet me Shqipërinë në sfidën e parë.
Italianët insistojnë se FIGC nuk ka pëlqyer shumë propozimet e UEFA-s për faktin se terrenet stërvitore nuk janë të nivelit më të lartë, pasi klubet gjermane të elitës kanë refuzuar të vendosin në dispozicion të tyret për ekipet, të paktën për fazën në grupe. Kaiserau dhe Iselhorn janë dy emrat më të lakuar dhe brenda 3-4 ditësh do të merret vendimi përfundimtar.
Më pas vijon projekti sportiv, duke filluar nga një grumbullim stërvitor në Koverçiano në fundin e janarit me kandidatë për fanellën e Italisë, të paktën ata që janë në Serinë A. Në mars e kanë radhën miqësoret dhe këtu Italia do të kombinojë përgatitjet me përfitimet ekonomike,.
Sipas gazetës italiane, po mendohet që të zhvillohen dy miqësore në mars në SHBA, të organizuara nga kompani të ndryshme si dhe sponsori ADIDAS, që do të garantojë rreth 2 milionë euro fitime për ndeshje, plus të ardhura nga e drejta TV. Njëra pritet të jetë me SHBA ose Meksikën, për çështje marketingu, ndërsa për tjetrën po shqyrtohen disa alternativa si Austria, Serbia, Hungaria, Skocia, Çekia apo edhe latino-amerikanet Uruguai e Kolumbi.
Në maj-qershor pastaj do të zhvillohen dy ndeshjet e tjera përgatitore, por këtë herë në Itali. E para do të jetë një rival i lehtë në pjesën e parë të grumbullimit që do të zhvillohet në Sardenjë nga 27 maji, deri më 2 qershor. Në datën 3, ekipi do të zhvendoset në Koverçiano dhe në ato ditë do të luhet miqësorja e dytë ndaj një skuadre mesatare. Nga data 7 qershor, Italia niset drejt Gjermanisë me 23 lojtarët e përzgjedhur për të marrë pjesë në EURO 2024, të gjithë me objektivin për të mbrojtur trofeun e fituar në 2021, duke filluar nga sfida me Shqipërinë.
PANORAMASPORT.AL