Shtëpia më e madhe e futbollit evropian, tashmë ka konfirmuar vazot për fazën e grupeve të Ligës së Kombeve për edicionin 2024/25.
Shorti për edicionin e ri të kësaj gare që tashmë po rritet, do të hidhet më 8 shkurt në Paris, ku 54 ekipe janë të ndara në katër liga; A, B, C dhe D.
Kombëtarja e Kosovës është pjesë e Ligës C, nivelit të tretë në Ligën e Kombeve, teksa do të jetë në vazon e dytë për shortin e ardhshëm.
Në Ligën C janë 16 ekipe të ndara në katër vazo. Në vazon e parë janë ekipet e renditura nga pozita e 33-të deri te e 36-ta. Në vazon e dytë janë ato nga pozita e 37-të deri në të 40-tën. Vazo e tretë përbehet nga pozitat 41 deri në 45 dhe vazo e katërt nga pozitat 45 te 48.
Ndërkaq, Kombëtarja e Shqipërisë është pjesë e Ligës B, nivelit të dytë në Ligën e Kombeve, teksa do të jetë në vazon e tretë për shortin e ardhshëm.
Në Ligën B janë 16 ekipe të ndara në katër vazo me nga katër ekipe, sipas renditjes nga pozita e 17-të deri në pozitën e 32-të.
Ndeshjet e para të edicionit 2024/25 të Ligës së Kombeve do të zhvillohen në shtator të vitit të ardhshëm, kurse, sfidat tjera do të zhvillohen në muajin tetor dhe nëntor, derisa faza e “Play-Off” është e paraparë për t’u zhvilluar në mars të vitit 2025, kurse “Final Four” në qershor të atij viti.