Lucas Neill në kohën sa ishte në Aston Villa në vitin 2007, fitonte 76 mijë funte në javë.
Ai ishte kapiten i ekipit të Premierligës dhe voziste veturë “Ferrari”, por erdhi në një situatë ku ishte afër burgut.
Ish-kapiteni i Kombëtares së Australisë, me të cilën luajti në dy Kampionate Botërore, u paraqit në Gjykatën e Preston Crown në mes të nëntorit, i akuzuar për dështim për të deklaruar para që nuk u dihej prejardhja.
“Pas karriges sime në bankën e të akuzuarve ishin shkallët që të çonin në qeli. Kam fituar lirinë, por më duket sikur kam humbur jetën. Ndjehem sikur nuk e mbrojta familjen time. Kjo dhemb”, tha Neill pasi juria e shpalli të pafajshëm, shkruan “The Times”, përcjell lajmi.net.
Neill u akuzua se kishte fshehur më shumë se dy milionë funte nga kreditorët e tij pasi problemet e tij me para dolën jashtë kontrollit.
Ai investoi shuma të mëdha në një skemë që mendonte se do t’i jepte lehtësime të mëdha tatimore, në këmbim të investimit në filmat britanikë.
Ish-mesfushori përfundoi në borxhe dhe e shpalli falimentimin në 2016.
“Njerëzit nuk mund ta besonin, mirëpo mua nuk më kishte mbetur asgjë. Ky ishte fundi im. Pas 20 vitesh karrierë futbolli dhe gjithë kësaj pune të vështirë, nuk kam çfarë të tregoj”, theksoi ai.
Lucas Neill aktualisht është 45-vjeçar dhe trajner i një ekipi femrash në një klub futbolli australian dhe njëkohësisht punon në një kompani teknologjike.
Përveç West Hamit, Neil kishte veshur fanellat e Watford, Blackburn, Millwall, Everton dhe Galatasaray e disa klube të tjera më pak të njohura. /Lajmi.net/