Katër muaj pas lamtumirës së papritur me Wolves, shkaktuar nga konfliktet me pronarët e lidhur me strategjitë e merkatos, Julen Lopetegui nuk po nxiton të rikthehet në stol dhe mbi të gjitha duket i vendosur të presë një telefonatë të re të mundshme nga Anglia.
Këtë e ka bërë të ditur “AS”, sipas së cilës ish-trajneri i Real Madridit dhe Sevillas ka refuzuar javët e fundit një ofertë shumë të pasur, për rreth 18 milionë neto në sezon, nga Arabia Saudite dhe pikërisht nga Al Ittihad.
Spanjolli, i cili do të ishte bërë një nga trajnerët më të paguar në botë, megjithatë nuk pranoi, prandaj Al Ittihad zgjodhi të fokusohej tek argjentinasi Marcelo Gallardo.
Megjithatë, Lopetegui ka qëndruar në Angli, i magjepsur nga kultura anglo-saksone dhe futbolli i Premier League.
Disa klube të mëdha, gjithmonë sipas “AS”, do të kishin eksploruar gatishmërinë e spanjollit për t’u rikthyer në stol dhe emri i tij duket se ka zgjuar edhe interesin e Manchester United.
Pozicioni i Erik Ten Hag nuk është në rrezik për momentin, por ecuria zhgënjyese e Djajve të Kuq në këtë sezon nuk e bën të ndihet i qetë trajnerin holandez, fati i të cilit mund të varet edhe nga Champion League, ku United rrezikon eliminimin nga faza me grupe.