Transferime direkte, nga Juventusi te Napoli dhe nga Napoli te Juventusi. Dhe nuk po flasim për të bërë një pasqyrë të ish-ëve të sfidës. Jo për Fabio Kanavaron që u rrit te Napoli dhe më pas zbarkoi te Juventusi, nëpërmjet Interit. As për Oskar Damianin apo Daniel Fonsekën… Po shkojmë te ato historitë e nxehta, më të dhimbshmet e kalimeve mes këtyre dy skuadrave, që asnjëherë në jetë nuk e kanë dashuruar njëra-tjetrën dhe as kanë bërë as tentativën për të menduar së vëni paqen.
Përkundrazi, po flasim për një faktor të nxehtë, siç është gjaku argjentinas, për dy emra që mbajtën peshë Italinë sportive si Omar Sivori e Gonzalo Higuain, apo edhe me variantin brazilian si Altafini.
NGA JUVE TE NAPOLI
Ishte vera e vitit 1965, kur nga treni që frenoi në stacionin e Napolit zbret i rrethuar nga mijëra tifozë një ish-juventin. E diela e së përdtishmes “Corriere” i dedikohej vetëm atij momenti: Një foto që fliste më shumë sesa fjalët, teksa Sivori ishte kapur duke ia mbathur me vrap nga turma që e priste… Sivori, i cili kishte ezauruar ciklin e tij te Juventusi, pasi për më shumë nuk ishte më as “teka e preferuar” e avokatit Anjeli. Ai vendosi të zbarkojë në Napoli, me shpresën se do t’i sillte kësaj skuadre titullin, edhe pse për këtë objektiv Napolit iu desh që të prisnin pas shumë vitesh një tjetër argjentinas, Diego Maradona.
Sivori i dinte se karriera e tij ishte në fund, pavarësisht se sapo kishte kaluar të 30-at, por edhe pse tentoi, në tri vite arriti që ta dretonte Napolin në një vend të tretë, një të katërt dhe një të dytë, duke sfumuar misionin e tij. Njeriu, ku emri i të cilit ishte shndërruar edhe në një markë të rëndësishme marketingu, si për shembull një ëmbëlsirë që shitej “a ruba”, apo edhe dyshekët e deri te brisqet e rrojës, dashurohej nga napolitanët, pavarësisht të kaluarës së tij të urryer bardhezi dhe Sivori këtë ndjesi e shpërblente me driblime me top poshtë këmbëve për rivalët, goditje fluturimthi e spektakël pas 2 viteve të para, por papritur një dëmtim shumë i rënë në menisk e detyronte që përpara festave të fundvitit të vitit 1968 të shpallte edhe lamtumirën e tij nga futbolli.
Një tjetër udhëtim me të njëjtin itinerar bën edhe Masimo Mauro, kur Juventusi vendos që t’ia shesë Napolit në verën e vitit 1989, për 3 miliardë lireta. Mauro që kishte luajtur në Udine me Zikon dhe në Torino me Platininë, do të kompletonte veprën duke qenë shoku i Maradonës, aq sa edhe autobiografisë së tij i vuri titullin formal që pritej: “Luajta me 3 gjeni”, gjeti ambientin e duhur për të fituar. Në të njëjtën kohë gjeti edhe një qytet për të bërë një jetë të shthurur, ku shumë shpejt kryefjala e jetës së tij u bë seksi ekstrem dhe kokaina.
Gjithsesi, në fushë ai dhe Napoli me Maradonën ishin gjeniale, duke qenë se rikthejnë titullin kampion në 1990- ën, duke bërë që gjërat e shëmtuara jashtë fushës të harroheshin. Ndërkohë, një tjetër juventin me këmbët gjeniale zbarkonte në Napoli, sërish nga Juventusi. Në vitin 1993 ishte radha e Paolo Di Kanios, një anësori ofensiv të djathtë, i cili ishte i vetmi që pas probleme me drogën të Maradonës, solli në fushë një gol të stili “Diego”, një aksion personal brenda të cilit kishte një mori fintesh e kundërfintesh, në një duel kundër Milanit, i cili ka mbetur edhe sot në histori.
NGA NAPOLI TE JUVJA
“Core’ngrato”, siç titullon edhe kënga… Thuajse të gjitha kalimet nga Napoli te Juventusi kanë merituar etiketën e zemërthyerit dhe ndoshta i vetmi që nuk ka shkaktuar polemikë ka qenë kalimi i Dino Xofit, kjo ndoshta edhe për posturën dhe rolin e tij në historinë e futbollit italian. Gjithsesi, zemra ka thyer pa dyshim kalimi i Hoze Altafinit, i cili në 1972 linte Napolin për Juventusin e urryer, një transferim pas së cilit pa shumë prej mureve të qytetit të Napolit në të cilët shtoheshin shkrime e parulla kërcënuese, disa prej të cilave mund të gjende ende sot në ndonjë cep, të ndonjë lagjeje të mbyllur, të vjetër…
Disi më i lehtë ishte edhe lamtumira e Marçelo Lipit, trajnerit të Napolit në sezonin 1993-1994, i cili vendosi të tradhtojë për Juventusin dhe ku bëri magjirat për të cilat do të mbesë përjetë në histori, siç ishte dhe Champions-i i fundit në vitin 1996. Pas tij, të tjerë djem napolitanë që veshën bluzën bardhezi me shumë bujë ishin edhe Çiro Ferrara e shumë më vonë edhe Fabio Kualiarela, por ai që solli në kujtesë zhurmën që ofroi Altafini ishte Gonzalo Higuain. Ndoshta tradhtia më e madhe e historisë së Napolit…
Në korrikun e vitit 2016, Juventusi derdh në federata 90 milionë euro, duke i paguar klauzolën Higuainit, duke shmangur kështu çdo procedurë burokratike të argjentinasit me Napolin dhe “Pipita”, që sapo kishte vendosur edhe rekordin historik sezonal të golave në Serinë A me bluzën e kaltër, 36 realizime në 35 ndeshje, pozon shumë i qeshur dhe i lumtur me fanellën e Juventusit, duke ngritur një dallgë urrejtjeje të frikshme në Napoli. I shpallur tradhtar përjetë, Higuain merr hakmarrjen e tij, teksa vetëm 2-3 muaj pas transferimit, rikthehet si rival në “San Paolo”, në një ndeshje të fundit të muajit tetor ku shënon, feston dhe fiton.
Por tradhtitë që Napoli vuan në vazhdimësi vazhdojnë pa pushim, siç ishte edhe afrimi në Torino i ish-trajnerit Mauricio Sarri, por me tranzit nga Londra dhe Çelsi, por këtë verë ndodhi edhe ai i radhës. Kristiano Xhuntoli, arkitekti i Napolit kampion Italie tradhton pas suksesit dhe në konferencën e parë për shtyp zbulon se që në moshë të vogël ndiqte ndeshjet e Juventusit me të atin, duke tërbuar jo pak tifozë… Dhe pikërisht edhe prej këtyre rrethanave e tradhtish, JuventusNapoli e të premtes mbrëma do të jetë një arsye më shumë për të mos u humbur…
Përgatiti: JETON STAMOLLA- PANORAMASPORT.AL