Tuchel e Myler presin reagim në ‘Old Trafford’, analogji me 2019-ën!
Bayern i Mynihut pësoi humbjen e parë në kampionat të shtunën në Frankurt, ku u shpartallua 5-1 nga Eintraht. Bavarezët humbën shansin për t’u barazuar me Bajer Leverkusen në krye, megjithatë ka edhe ndeshjen e prapambetur me Union Berlin për të luajtur.
Pas ndeshjes, të vetmit që folën me median ishin trajneri Tomas Tuhel dhe mesfushori Tomas Myler, edhe pse ky i fundit u fut në fushë vetëm pas pësimit të pesë golave.
Tuhel kritikoi gabimet e shumta individuale, duke mos përjashtuar as veten nga përgjegjësia. Megjithatë, në prag është ndeshja kundër Manchester United në champions league, në Old Trafford, ku Bayern dëshiron të bëjë figurë të mirë, ndërkohë që e ka siguruar vendin e parë në grup. “Pesë gola nuk pësohen pa bërë gabime individuale. Megjithatë, kam besim te skuadra ime. Do të na duhet të reagojmë në Old Trafford”, tha Tuchel.
Të njëjtin besim shprehu edhe Myler: Ne jemi Bayern dhe do të rikthehemi shpejt. Tifozët më optimistë të Bayernit kujtojnë se katër vjet më parë, humbja me të njëjtat shifra në Frankurt ishte fillimi i një periudhe të pabesueshme me Hansi Flick, kurorëzuar me fitimin e gjashtë trofeve. Veçse atëherë trajneri Niko Kovaç u largua pas humbjes, ndërsa sot Tuchel vazhdon të jetë në detyrë.