Mesfushori i Barcelonës, Ilkaj Gyndoan, ka dhënë një intervistë për “France Football”, ku ka ndarë mendimet e tij jo vetëm mbi futbollin, por dhe jetën private dhe raportin që ai ka me rrjetet sociale dhe jetën në tërësi.
PRANIA NË RRJETET SOCIALE – “Nuk jam shumë aktiv në rrjetet sociale. Nuk e ndaj shumë jetën time private. Shumë njerëz do të donin që unë ta bëja më shpesh, por nuk më intereson dhe nuk e bëj. Unë dua që njerëzit të më shohin si një futbollist i mirë. Kështu, unë fokusohem në punën time, në veten time, në sportin tim. Por të ndaj jetën time në ‘Instagram’ apo ndonjë gjë tjetër, në të vërtetë, nuk bën për mua.”
GYNDOAN JASHTË FUSHËS – “Unë jam një djalë normal, i cili duket si lojtari që shihni në fushë, i qetë. Të gjithë kanë probleme në jetë, askush nuk ka një ekzistencë të përsosur. Në fund të fundit, kur kthehem në shtëpi, jam një qenie njerëzore si gjithë të tjerët. Në sytë e publikut mund të fitoj shumë para dhe është e vështirë të ankohem, por vetëm sepse kam një jetë të privilegjuar nuk do të thotë që nuk kam probleme”. SHUMË
GËNJESHTRA NË RRJET – “Kjo është ndoshta edhe arsyeja pse nuk e prezantoj jetën time aq shumë në rrjetet sociale. Kur futem në ‘Instagram’, shoh vetëm jetë perfektë, por ky nuk është realiteti im. Unë nuk dua që njerëzit të vënë shumë theks mbi mënyrën se si sillem ose si jam në jetën time, sepse kjo do të ishte ndoshta vetëm 1% e asaj që është në të vërtetë”.
KAPITEN KUDO VEÇ BARÇËS – “Shokët e mi të skuadrës dhe klubet për të cilat kam luajtur e kuptuan dhe e vlerësuan këtë mënyrë të qenit. Mendoj se ma kanë dhënë shiritin, për shkak të personit që jam. E rëndësishme për mua është të jem në gjendje t’i ndihmoj kolegët e mi në çdo mënyrë që mundem. Dhe anasjelltas, ju gjithashtu mund të keni nevojë për ndihmë. Vetëm për shkak se jeni më i vjetër ose më me përvojë nuk do të thotë që nuk keni nevojë për të. Futbolli është një sport ekipor. Të gjithë duhet të ndihmojnë dhe mbështesin njëri-tjetrin”.
FUTBOLLI NË SHTËPI GJATË FËMIJËRISË – “Ne kemi origjinë turke dhe, sa herë luante një ekip nga ai vend, ne ndaleshim për të parë. Shumica e familjes ishin tifozë të Gallatasarajit, përveç nënës sime, e cila e donte Fenerbahçen, si gjyshi im. Ishte kënaqësi. Do ta kujtoj gjithmonë ditën kur Gallatasaraji fitoi Kupën UEFA në vitin 2000. Ishte një mbrëmje e mrekullueshme. Gjithashtu, u rrita në Gelsenkirshen, një qytet ku futbolli dhe Shalke 04 janë shumë të rëndësishëm”.
VËSHTIRËSITË NË SHKOLLË – “Nuk e urreja shkollën, por ishte gjithmonë e vështirë për mua. E kisha futbollin në krah, ishte shumë e vështirë t’i kombinoja të dyja. Për të qenë i sinqertë, mendoj se do të kisha ndaluar pa prindërit e mi. Për ta ishte shumë e rëndësishme. Më shtynë deri në fund dhe për këtë i falënderoj. Përfundova duke marrë diplomën time duke punuar shumë. Më ndihmoi të mos dorëzohem kurrë dhe të ndërtoj një personalitet. Kjo diplomë më ofroi gjithashtu mundësinë për t’u rikthyer nëse gjërat nuk funksiononin në futboll. Por prapë zgjohem papritmas sepse ëndërroj që nuk jam diplomuar dhe duhet të kthehem.”
PANORAMASPORT.AL