Pak mund të parashikonin pak më pak se gjysmë viti më parë se Girona do të ishte lider i La Ligës. Me një lojë që të bën të biesh në dashuri dhe një efektivitet që të befason, skuadra nga Girona ka mbërritur të luftojë për gjithçka. Përvoja e Stuanit, David Lópezit dhe guximi i të rinjve si Savinjos, Migel Gutiérrezit, ecin dorë për dore nën urdhrat e Migel Ángel Sánchez Muñoz, ndryshe Miçel. Ka qenë trajneri i kryesuesve të kampionatit spanjoll, ai që ka dhënë një intervistë për “Marca”, ku ka sqaruar gjithçka e lidhet me klubin e vogël katalanas.
Në konferencën për shtyp para ndeshjes kundër Barcelonës, thatë se nëse do të fitonit, Girona do të hynte në një dimension të ri…
E kisha fjalën, mbi të gjitha, për faktin se do të kishte shumë ndikim. Duhet të dinim si ta trajtonim këtë ndikim që do të kemi në javët e ardhshme për të qenë lider, për të mundur Barçën në fushën e tyre. Ne jemi një ekip që i kemi bërë gjërat shumë mirë në 16 javë, kështu që kemi ndjenjën se klubi duhet të vazhdojë të rritet dhe se synimi ynë duhet të jetë Europa.
Jeni një tifoz i Rajos duke stërvitur Gironën?
Po, padyshim. Do ta mbaj gjithmonë Rajon brenda meje, është klubi i jetës sime. Jam rritur në Vajekas, jam nga Vajekas dhe do të jem gjithmonë me Rajon.
Cili është sekreti i Gironës? Sa orë pune ka në ditë?
Ka shumë orë pune, por mbi të gjitha ka shumë energji pozitive dhe forcë grupi. Ne e kemi kultivuar këtë gjatë këtyre tre viteve, veçanërisht me bazën e madhe që ka skuadra, që tashmë thashë se është zemra e Gironës: Stuani, Bernardo, Huanpe, Huan Karlos… Tani jemi në një moment të mrekullueshëm, falë asaj pune të përditshme.
A ka ndikuar ana psikologjike në këtë situatë?
Po, sigurisht që ka. Tashmë jemi futur në një dimension të ri, ku fokusi është te ne dhe duhet të dimë sesi ta trajtojmë atë, si ta përballojmë. Ndaj, përgatitja psikologjike është shumë e rëndësishme.
Flisni për mënyrën e përballjes me lojtarët. Me ta keni vetëm marrëdhënie profesionale, apo edhe personale?
Ka afërsi të plotë, sepse e vendos veten në vendin e tyre dhe përpiqem të jem empatik me ta. E vetmja gjë që dua që ata të kuptojnë është se unë duhet të marr vendime. Unë do të bëj gjithçka për t’i ndihmuar, këtë ua kam thënë gjithmonë.
Girona është pjesë e “City Group” (Siti Grup), flitet shumë për ju… E shihni veten si trajner i Mançester Sitit në të ardhmen?
Nuk e di… Është çmenduri të mendosh këtë tani, më pëlqen të jetoj shumë nga dita në ditë. Ajo që besoj është se, pikërisht tani, jemi në një moment shumë të bukur në Girona, po bëjmë histori. Unë dëgjoj gjithçka, sepse jam shumë autokritik. Më pëlqen të shoh vlerësimin që ata bëjnë për ekipin tim dhe punën time në vende të tjera, sepse nuk mund të përqendroheni vetëm në punën tuaj, duhet të shihni sesi e ekspozoni veten ndaj botës së jashtme. Natyrisht, unë e di se kush jep kritika konstruktive dhe kush jep kritika destruktive. Sot po shijoj momentin, e ardhmja do të shihet. Lumturia që kemi këtu është shumë e rëndësishme dhe po na çon të bëjmë histori. Nëse Girona është pjesë e grupit që zotëron Mançester Sitin, kjo nuk do të thotë se do të bëhesh trajner i Sitit, nuk ka të bëjë fare me të. Ëndrra ime është që të bëjmë histori me Gironën dhe ne po e arrijmë këtë.
E fundit dhe më e vështira, a mund ta fitojë Girona e Miçel titullin në La Liga?
Nuk është koha për të folur për mundësinë për të fituar La Ligën, por është koha të themi se ne jemi një ekip që mund të pretendojë në Europë. Kjo është shumë e qartë për mua dhe lojtarët po ma tregojnë këtë. Pas 10 javësh do të shoh nëse ka mundësi të luftojmë për La Ligën. Pas javës së 26 apo 28, do të mund të shohim se cili është objektivi i vërtetë i Gironës. Nuk shikoj përtej ndeshjes së radhës, por kam ndjenjën se do të luftojmë për Europën.
PANORAMASPORT.AL