• Lajmet e fundit
  • Sport
  • Euro 2024
  • Futboll Bota
  • Moto GP
  • Formula 1
  • Basketball
Friday, May 9, 2025
No Result
View All Result
Gazeta Sportal
  • Lajmet e fundit
  • Sport
  • Euro 2024
  • Futboll Bota
  • Moto GP
  • Formula 1
  • Basketball
No Result
View All Result
Gazeta Sportal
No Result
View All Result

Sot mësohet fati i turneut që tenton të sfidojë UEFA-n, Rumenige: Super Liga mbaroi, Anjeli humbi Juven dhe fytyrën

21/12/2023
in Sport
Share on FacebookShare on Twitter

Pritjes së gjatë i ka ardhur fundi. Sot gjykata europiane në Luksemburg do të vendosë nëse UEFA do të vazhdojë të gëzojë monopolin në futbollin europian, apo do të kemi një ngjarje historike, që do t’i lejonte edhe të tjerët të organizojnë gara të pavarura nga organi më i lartë drejtues i futbollit, në kontinentin e vjetër. Karl-Hainc Rumenige, anëtar i Komitetit Ekzekutiv në UEFA ka dhënë një intervistë për “Gazzetta dello Sport”, ku ka sqaruar pozicionin e tij, UEFs dhe Shoqatës së Klubeve Europiane të Futbollit (ECA) vetëm pak orë nga vendimi final. Të mësuar të mos e dëgjojmë të bëjë polemika, këtë herë diçka ndryshon.

rumenige anjeli

Ai nuk e kishte menduar, se dyzet vjet pas Bernabeut, do t’i duhej të mbante të njëjtin fjalim me kostum dhe kravatë, pas një tavoline, për drejtuesit e Super Ligës, të cilët shkuan në zyrat e UEFA-s për të shpjeguar projektin e tyre.

Rumenige tha menjëherë: “Kam luajtur futboll dhe e di kur humbet. Ke humbur dhe duhet ta pranosh atë”. Për simbolin e Bajernit dhe të Interit, humbja e Florentino Perezit dhe Anjelit është e qartë: “Është fakt, në refuzimin e projektit nga Europa. Gjithçka që mungon është konfirmimi ligjor”.

I shqetësuar, zoti Rumenige?

Jo, tani jo. Isha natën kur ata shpallën projektin e Super Ligës. Ishin dymbëdhjetë klube, më kot ishin përpjekur të na bindnin ne dhe të tjerët, ishin në prag të ndarjes. Mendova: Po sikur të fillonin vërtet një revolucion? Do të ishte një kaos. Brenda dy ditësh flluska shpërtheu. Unë isha në stadium për Bajernin dhe Ceferin, më dërgonte mesazhe çdo pesë minuta për të thënë: Çelsi, Liverpuli, dhe Mançester Siti janë tërhequr… Ka mbaruar.

Çfarë do të thotë Super Ligë?

Fjala i thotë të gjitha. Ka “super” brenda: dëshiron të jetë superior ndaj gjithçkaje. Kampionati, Liga e Kampioneve, futbolli. Çfarë ideje…!

Nuk ishin vetëm spanjollët, anglezët e italianët. Ata kanë trokitur dhe në Gjermani, te Bajerni…

Po, por ata nuk erdhën kurrë tek unë. Ata u përpoqën me Oliver Kahnin, pasardhësin tim në atë kohë. Unë, Uli Hënes dhe presidenti Hainer thamë: Kurrë me ne! Ne duam të fitojmë, por rregullisht. Edhe PSG-ja mendoi kështu.

A jeni i habitur nga Anjeli?

Nuk kam qenë në gjendje të flas me Andrean që nga e diela kur ai mbylli celularin. Qarkullonin zëra, kishte thashetheme, madje ai nuk po vinte më në Montro dhe nuk përgjigjej në telefon. Nuk mendoj se kishte guxim të thoshte çfarë po bënte. E kuptoj që koronavirusi i ka detyruar klubet anëtare të përshpejtojnë idenë e tyre, dikush donte para të freskëta e të shpejta, por ai prezantim nuk ishte profesional. Unë nuk e kuptoj Andrea Anjelin dhe më vjen keq në nivel njerëzor. Ai ishte president i “ECA”-s. Ai ishte në ekzekutivin e UEFA-s, ai ishte president i një ekipi të madh si Juventusi. Ai humbi gjithçka. Edhe fytyrën e tij. Ne shkonim shumë mirë, por kur i thashë që futbolli nuk është vetëm ekonomi, ai nuk ndante të njëjtën ide me mua.

A do të ishte Super Liga fundi i kampionateve?

Fundi i atyre që ne njohim. Kur isha tek Interi nuk kishte asnjë ndeshje të krahasueshme me derbin. E njëjta gjë me Bajernin: Asgjë si Dortmundi dhe tani Leverkuseni. Kampionati ka ekzistuar për një jetë të tërë. Ata janë rrënjët e futbollit. Blater më kishte dhënë një pemë duke thënë: “Kalle”, shiko, rrënjët janë kampionatet dhe ligat. Në degën më të ulët kupat e Europës, ku shkon nëse kualifikohesh. Pastaj kombëtaret që në luajnë Kupën e Botës dhe Kampionatin Europian. UEFA po bën çmos për të mbrojtur futbollin në interesin e të gjithëve me një ekzekutiv të qëndrueshëm dhe një president të guximshëm si Ceferin. A e dini se çfarë do të ndodhte nëse…?

Po sikur të ekzistonte Super Liga?

Seria A do të shndërrohej në Serie B dhe Bundesliga në divizionin e dytë. Kampionatet do të dobësoheshin. Dhe a e dini pse e gjithë kjo? Për të dëmtuar Premier Ligën, e cila fiton më shumë thjesht sepse është më e mirë. Sidomos spanjollët,të cilët donin ta dëmtonin dhe shpikën këtë turne, të vetmin që do të kishte rëndësi. Lamtumirë Juve-Kaljari, lamtumirë Bajern-Bilefeld!

Çfarë ka mbetur nga Super Liga?

Kanë mbetur vetëm dy klube spanjolle. Juve është jashtë, të paktën kështu më duket mua. Ndoshta duhet ta kishim kuptuar më mirë Florentinon, pasi ai ka një vizion ekonomik mbi gjithçka.

Po nëse Gjykata do t’i jepte të drejtë krijimit të Super Ligës?

Edhe nëse do të ndodhte kështu, Super Liga nuk do të kishte jetë të gjatë. Tridhjetë vjet më parë sistemi do të kishte përqafuar risinë, tani është ndryshe. Anglezët, gjermanët dhe francezët nuk do të merrnin pjesë kurrë. Unë mendoj kjo vlen dhe për klubet italiane e spanjolle, me përjashtim të ndonjë presidenti që mendon se do të shkojë në shtrat dhe do të zgjohet të nesërmen në mes të arit. Reali dhe Barcelona mund të kenë një turne të personalizuar po të duan…

Përgatiti: LEDJO SEFERKOLLI – PANORAMASPORT.AL

Next Post

Laporta zbuloi pse Messi nuk u kthye në Barcelonë: Do të ishte një humbje e madhe financiare për klubin tone

© 2023 Gazeta Sportal - Lajmet e fundit sportive nga vendi dhe bota.

No Result
View All Result
  • Lajmet e fundit
  • Sport
  • Euro 2024
  • Futboll Bota
  • Moto GP
  • Formula 1
  • Basketball

© 2023 Gazeta Sportal - Lajmet e fundit sportive nga vendi dhe bota.