Bajern Mynihu mori fi tore të rëndësishme në Bundesligë, teksa e mbylli vitin kalendarik me rezultat pozitiv, ndonëse diferenca me kryesuesit e Leverkusenit vazhdon të mbetet 4 pikë. Megjithatë, bavarezët mund të “ngrohen” disi nga ndeshja e prapambetur ndaj Union Berlinit, e cila u shty për shkakun e kushteve të vështira prej rënies së dëborës.
Herri Kejn e mbylli ciklin e parë me kampionët e Gjermanisë në mënyrë brilante, 21 gola pas 15 javësh, askush si ai, jo vetëm në Bundesligë, por edhe në ligat më të forta të Europës nuk e ka dërguar dot kaq shpesh topin në rrjetën mike. Sulmuesi 30-vjeçar në këtë periudhë pushimesh ka gjetur kohën e përshtatshme për t’i bërë rezyme aventurës në Mynih, nga ambientimi, surpriza Bajer Leverkusen e deri tek ironitë me shokët që luajnë në Angli.
PËRSHTATJA-
”Jam munduar të mos e shfaq pjesën emocionale se çfarë do të thotë të qëndrosh larg familjes prej 4 muajsh. Pa gruan, fëmijët, të afërmit. Më duket disi e çuditshme, pasi rutina ime ka pasur lidhje të ngushtë me ta dhe në një moment gjithçka ndryshon. Tani kam dhjetë ditë pushim, e cila do të më japë mundësinë të jem pranë tyre dhe të shijoj kohën e lirë”, u shpreh Kejni.
NDRYSHIMI I LIGAVE-
”Premier Liga nuk pushon së luajturi as në ditë festash. Për ta është diçka normale, ama mua më shijon pauza jo e paktë që ndodh në Gjermani. Miqve që luajnë në Angli do t’u dërgoj foto nga plazhi, ndërsa ata vrapojnë në fushë”, tha mes së qeshurash kryeshënuesi i përfaqësueses angleze.
RIVALI-
”Ecuria fantastike e Leverkusenit na ka shtyrë edhe ne të shkojmë drejt perfeksionit. Ekipi i Ksabi Alonsos gëzon grup vërtetë interesant në çdo repart, i përgëzoj për punën e deritanishme. Sa herë që ne inkuadrohemi në fushë pas tyre mbartim presionin me vete. Takimi i prapambetur kundër Unionit do të na ndihmojë të ngjitemi më pranë kreut. Kampionati është shumë i gjatë dhe situata mund të përmbyset apo thellohet, kështu që ne duhet të bëjmë pjesën tonë, pa anashkaluar edhe ballafaqimin me ta, vitin e ardhshëm”.
FUQIA E GRUPIT-
”Nëse marrë në analizë të thelluar performancën në stërvitje dhe prezantimin në fushë, di t’ju them se nuk e keni parë forcën e Bajernit. Qëllimi i skuadrës gjen qasje te përmirësimi. Uria dhe ambicia e lojtarëve në gjirin e ekipit më nxit të bëj gjithmonë e më shumë, ndonëse kam shënuar gola në masë”, përfundoi Herri Kejn. Rekordmenët e Gjermanisë thyen rekord në tregun e transferimeve, e ku e kaluan kuotën e 95 mln eurove për të marrë në Mynih shënuesin më të mirë në historinë e Totenhemit.
Përgatiti: SAIMIR MBËRSI- PANORAMASPORT.AL