Interi ka bërë një sezon të mirë deri tani si në Champions duke u kualifikuar në fazën e 1/16-ave dhe në Serinë A do të mbyllë vitin si kampion dimri.
Dyshja Lautaro-Turam kanë qenë një makineri golash dhe i kanë ardhur shumë në ndihmë skuadrës dhe trajnerit Inzagi. Por në merkaton e janarit, Marota dhe Auzilio duan të sjellin edhe një sulmues të ri në klubin zikaltër. Kjo për arsye se zëvendësuesit e dyshes, Arnautoviç dhe Sançez nuk japin garanci.
Emri i parë që qarkullon është i Mehdi Taremit, të cilin zikaltërit e dëshironin që në merkaton e verës. I dytë është Luis Muriel, në formë të shkëlqyer gjatë muajit të fundit. Ai ende nuk ka rinovuar me Atalantën.
Marota dhe Auzilio i kanë hedhur sytë edhe në Premier Ligë, ekzaktësisht tek Çelsi dhe Mançester Junajtid.
Është pikasur Armando Broja i cili mund të mbërrijë nga Londra, pasi ka shënuar vetëm një gol në këtë sezon në Premier Ligë. Shoku i Kombëtares së Kristjan Asllanit do të donte të gjente hapësira për t’u rritur vazhdimisht. Nëse “Blutë” do të sugjeronin huazimin, Interi do ta ketë në konsideratë.
PANORAMASPORT.AL