Mbërritja e Herri Kejnit te Bajern Mynih hodhi bazat tek analistët e futbollit se bavarezët i kishin të gjitha “kartat” për të korrur sukses në çdo fron. Megjithatë, pas gjysmës së parë të sezonit shumëçka ka ndodhur në klubin më të titulluar në Gjermani, përveç pritshmërive ndaj Kejnit.
Goleadori anglez nuk ka reshtur së shënuar me fanellën e rekordmenëve, madje duke u bërë “shtyllë” jo vetëm në finalizimin e rasteve, sikurse edhe në pozitën e asistuesit. Prestigjiozja gjermane “Kicker” në trajtë analitike ka përmbledhur situatat më pikante nga Kampionët e Bundesligës, e cila daton me debutimin e “hidhur” të Herrit përballë tifozërisë.
GABIMET E “RËNDA”
Lajpcigu pa pretendime “dërrmoi” Bajernin në Superkupë, teksa Dani Olmo i vetëm bëri që në “Allianz Arena” të pllakosej heshtja, e përkthyer me 3 golësh. Ndeshja hapëse me gjigantët nga Mynihu nisi me këmbën e gabuar për Kejnin, megjithëse golashënuesi ishullor u pa si “profet” në kampin e rekordmenëve.
Një tjetër etapë që e vuri ndjeshëm në vështirësi pankinën e Tomas Tuhelit, krahas pretendimeve të bordit përkon me eliminimin surprizues në Kupë, raundi i dytë ndaj modestëve të Sarbrykenit (1-2).
Mediumi në fjalë mbështet qëndrimin e legjendave si Mateusi, Hamani e Babeli, të cilët e hedhin fajin e disfatës tek egoizmi i teknikut 50-vjeçar. Tuheli, edhe pse kishte të gatshëm “artilerinë” e rëndë me Musiala-Kejn-Sane, hodhi në fushë lojtarë pa minuta në këmbë si mbrojtësi Sarr.
Pika e tretë dhe më pak e justifikueshmja në çdo drejtim, pasqyrohet në “shuplakën” e Frankfurtit. I gjithë ekipi fillestar ishte 2viktimë” e humbjes poshtëruese 1-5 kundër “shqiponjave” të Frankfurtit.
Mungesa e dëshirës, qarkullimi i ngadaltë i topit dhe pasiviteti në duelet me kundërshtarin dominuan te kampionët, duke vënë në pikëpyetje punën e Tuhelit si “timonier”.
KEJN-SANE, SHPRESA E TIFOZËVE
Herri Kejn ka rezultuar deri në këtë pikë të sezonit “bast i sigurt”, 21 gola në Bundesligë, rekordmen dhe askush nuk e ka përshëndetur më tepër rrjetën mike në pesë ligat kryesore të Europës. Nëse përfshijmë statistikat e binomit të Bajernit në fazën ofensive (KejnSane), rezulton më e frytshmja, 29 gola dhe 13 asiste (kampionat).
E dhëna e mësipërme i lë “targën” edhe beniaminëve të Mançester Sitit, Haland-Alvarez apo Bellingam-Rodrigo, tregues se bavarezët kanë në gjirin e tyre “snajperët” e duhur për të “ekzekutuar” rivalët në Bundesligë dhe “Champions”.
ECURIA E OBJEKTIVAVE
Largimi i parakohshëm nga Kupa nuk ka dhënë asnjë tregues negativ në dy frontet e mbetur, megjithëse jo me shkëlqim ekipor. Problematika në prapavijë flet qartë, 15 gola të pësuar në ligë, 6 në Ligën e Kampionëve.
Tuheli gjatë muajve të fundit ia ka parashtruar drejtueseve nevojën në forcimin e mbrojtjes me afrime në tregun e dimrit. Ky nuk është i vetmi problem i “zbuluar” në Mynih, kthimi i Herri Kejnit deri në mesfushë apo zhvendosja e Musialës mes linjave mbrojtëse për të marrë mbi supe manovrat e shpejta nënkupton mungesën e “regjisorëve” me lojë, ndonëse Gorecka dhe Kimishi e mbulojnë si detyrë.
Diferenca me Leverkusenin kryesues qëndron në kuotën e 4 pikëve (Bajerni ka një ndeshje më pak), ndërsa në “Champions” fati i ka rezervuar Lacion, komponentë se Tomas Myleri me shokë janë në rrugën e duhur drejt objektivave, fitimi i kampionatit dhe minimalisht faza gjysmëfinale në Ligën e Kampionëve, përndryshe Tuheli…largohet.
Përgatiti: SAIMIR MBËRSI – PANORAMASPORT.AL