Sër Xhim Ratklif ka thënë se do të duhet kohë dhe durim për të rikthyer suksesin te Mançester Junajtid. Miliarderi britanik ra dakord të blinte 25% të aksioneve të “djajve” për rreth 1.3 miliardë dollarë në vigjilje të Krishtlindjes.
Grupi i tij “Ineos” do të marrë kontrollin e operacioneve të futbollit dhe tifozi i Junajtidit do të sigurojë gjithashtu 300 milionë dollarë për investime të ardhshme në stadiumin dhe qendrën stërvitore të klubit.
Në një letër të hapur drejtuar tifozëve, ai premtoi se do ta rikthejë sërish klubin në majë: “Ne e njohim përgjegjësinë tonë si kujdestarë të klubit në emrin tuaj. Unë besoj se mund të sjellim sukses sportiv në fushë për të plotësuar suksesin e padyshimtë komercial që klubi ka shijuar. Ju jeni ambiciozë për Mançester Junajtidin, por të tillë jemi edhe ne. Ne duam ta ndihmojmë klubin që të rikthehet ku i takon të jetë, në majë të futbollit anglez, europian dhe botëror. Unë e marr shumë seriozisht këtë përgjegjësi”.
PANORAMASPORT.AL