Të premten Interi mund të bëhet kampion dimri. Sigurisht, nuk del në tabelë, nuk është titull, por është pak si kur në një shteg malor dhe në një pikë të caktuar ndeshesh me tabelën që të tregon rrugën. Dhe rruga e deritanishme e Interit është e shtruar më së miri, ndaj fitorja ndaj Xhenoas është ajo që do i japë vijimësi situatës.
Mund të mjaftojë edhe një barazim, por me tri pikët sigurohet çdo gjë dhe mbi të gjitha mbahet këmba në gaz. Në fakt, Inzagi ia ka dalë një herë si zikaltër, në 2021-2022, në sezonin e tij të parë me Interin, por më pas u përmbys nga Milani, që në fund fitoi titullin. Këtë herë 47-vjeçari do të bëjë çdo gjë për të prishur mallkimin e vitit të parë zikaltër kur kampioni i dimrit nuk u përkthye me kampion Italie dhe mund t’i gëzohet një ritmi më të shpejtë.
Sepse, nëse duam të përkthejmë gjithçka në terma thjesht numerikë, e vetmja herë që skuadra e zikaltërve mbajti këtë ritëm (44 pikë në 17 javë) ishte kampionati 2006-07. Roberto Mançini më pas shënoi një pikë më shumë, 45.
As në sezonin e tripletës Interi nuk eci kështu, atëherë pikët ishin 39, pesë më pak. Këto 44 pikë japin një ide se çfarë po bën Simone Inzagi edhe duke parë vitin e kaluar, është i njëjti ritëm me Napolin e Spaletit. Dhe ashtu si Napoli, edhe Interi ka vendosur që të mbyllë fazën e parë të sezonit me 50 pikë. Mungojnë dy fitore, Xhenoa dhe Verona, rezultate objektivisht të arritshme. Inzagi dëshiron të krijojë një hendek që tani deri më 4 shkurt, ditën kur në “San Siro” do të vijë Juvja, duke marrë shtysë edhe nga fakti që në 10 sezonet e fundit kampioni i dimrit është shpallur kampion Italie në 6 raste.
VAZHDIMËSIA – Eliminimi i Kupës së Italisë ka sjellë sigurisht zhgënjim në Apiano Xhentile, por të paktën ka një aspekt pozitiv, i cili lidhet me faktin se ka çliruar efektivisht kalendarin përpara ndeshjes së 1/8-ave të Ligës së Kampioneve kundër Atletiko Madridit. Lautaro dhe shokët e tij duhet të menaxhojnë angazhimin e Superkupës, por për pjesën tjetër ata mund të përqendrohen në Serinë A. Të rrisin diferencën me Juventusin (padyshim duke marrë parasysh faktin se pas Superkupës Interi do ta gjejë veten me një ndeshje më pak për t’u rikuperuar më 28 shkurt) është qartë një objektiv edhe për të shmangur rrezikun e përmbysjeve si dy kampionate më parë.
Dhe gjithashtu, Interi kërkon të fokusohet pak më lirshëm te Liga e Kampioneve, të cilën askush tek Interi nuk dëshiron ta lërë mënjanë, edhe pse titulli është prioriteti i të gjithëve. Dhe është edhe për trajnerin, i cili është gati të menaxhojë shpenzimet e energjisë me rotacione nga shkurti e në vazhdim, trashëgimia vërtet e madhe që lanë tre muajt e fundit të sezonit të kaluar.
Përgatiti: NISLI GJINI – PANORAMASPORT.AL