Radu Dragushin i ka thënë përfundimisht “po” Totenhemit dhe në ditët në vijim do të zyrtarizohet në radhët e klubit anglez. Mbrojtësi rumun i Xhenoas, ishte nën vëzhgimin e Milanit, Napolit dhe Bajern Mynih, por në fund pranoi ofertën që i erdhi nga klubi anglez.
Menaxheri i tij, Florin Manea, ka treguar për mediat rumune se sa e çuditshme dhe e lodhshme ishte kjo periudhë negociatash për futbollistin.
“Nuk më besohet që kam refuzuar Bajern Mynih!”, tha fillimisht ai. “E kemi zgjedhur sot në orën 8. Është e vështirë të bësh një zgjedhje të tillë. Bajerni e dëshironte me shumë forcë dhe dje erdhi një ofertë zyrtare. Kishte më shumë para te Bajerni, por ai tha që kjo ishte zgjedhja më e mirë për karrierën e tij.
Kemi qëndruar të zgjuar gjatë gjithë natës, nuk kam fjetur aspak. Kemi qëndruar zgjuar duke analizuar cilat janë avantazhet dhe cilat janë disavantazhet. E donin si Napoli, ashtu edhe Milani, por ai ëndërronte të luante në Premier Ligë që kur ishte i ri.
Në një moment, Totenhemi ishte pak larg asaj që kërkonte Xhenoa, por unë u thashë që nëse klubet gjenin akordin, atëherë do të zgjidhnim Totenhemin. Dhe klubi bëri një sforco të madhe për firmën”, tha menaxheri i lojtarit i cili do të firmosë një kontratë deri në qershorin e vitit 2029, nga e cila do të përfitojë 2,9 milionë euro në sezon.
PANORAMASPORT.AL