Teksa Juvja siguroi dje gjysmëfinalen e pestë radhazi në Kupën e Italisë, Masimiliano Alegri u bë trajneri i tretë, pas Xhovani Trapatonit (596) dhe Marçelo Lipit (405) që kalon vijën e 400 pankinave me Juventusin, duke marrë parasysh të gjitha turnetë. Për më tepër, me 265 fitore, Alegri është tashmë trajneri i dytë me më shumë fitore në historinë e bardhezinjve (pasa Trapatonit me 319).
Pikërisht tekniku ka analizuar ndeshjen e djeshme duke deklaruar: “Është e qartë se ky objektiva na intereson dhe kemi të drejtë të festojmë, por nuk duhet harruar që të martën nis pjesa e dytë e sezonit dhe është më e rëndësishmja. Nevojitet kujdes sepse në sfidën e radhës do të përballemi me një rival që na ndëshkoi. Nëse duam të rritemi, nuk duhet të biem në gracka”.
LOJTARËT – “Jam i lumtur për golat e Milikut, por gjithashtu edhe për Jilldëzin që po tregon se mund të qëndrojë pa problem mes më të mirëve. Të gjithë po bëjnë mirë, por sidomos Mekeni që qëndroi mes skepticizmit të përgjithshëm, megjithatë po dëshmon se ka cilësi dhe rritja e tij vijon të jetë e dukshme siç u pa edhe sot”.
PËRMIRËSIME – “Në një skuadër ambicioze ka gjithmonë vend për të rregulluar diçka. Sot luajtëm mirë, qarkulluam topin dhe patëm kujdes në mbrojtje siç e dëshmon edhe fakti që nuk pësuam. Jemi një grup i ri dhe disa gjëra duhet ende të kuptohen, por për të synuar majat nevojitet që të bëjmë veprimin e duhur në kohën e duhur”.
AMBICIET – “Nuk shohim shumë larg. Në kampionat kemi bërë mirë, por mund të bëjmë më shumë, teksa do të bëjmë të pamundurën edhe në Kupën e Italisë. Për momentin fokusi duhet të jetë vetëm te Sasuolo, teksa drejtuesit punojnë për të zbuluar ndonjë mundësi në merkato”.
PANORAMASPORT.AL