Angel Correa është pjesë e Atletico Madrid prej janarit të vitit 2015. Sulmuesi argjentinas ka marrë një ofertë nga Al-Ittihad dhe është pranë transferimit në Arabinë Saudite.
Trajneri Gallardo u ka kërkuar drejtuesve të klubit t’i sjellin në skuadër bashkëpatriotin e tij. Bisedimet kanë nisur dhe Colchoneros po presin ofertën zyrtare për lojtarin ofensivë.
Nga ana tjetër, tek Atletico nuk duan të mbeten të papërgatitur dhe kanë piketuar pasuesin e 28-vjeçarit nga Rosario.
Nga një argjentinas te tjetri.
I përzgjedhuri është Thiago Almada, kapiteni i Argjentinës U23 dhe lojtar i Atlanta në MLS. 22-vjeçari luan si mesfushor i avancuar, por mund të aktivizohet edhe në krahët e sulmit.
Diego Simeone e ndjek dhe e pëlqen prej kohësh, teksa duket se tani ka ardhur momenti që Almada të transferohet në “Wanda Metropolitana” për të nisur aventurën e parë europiane.
Gjithmonë nëse Correa gjen akordin me Al-Ittihad dhe zgjedh të vazhdojë karrierën në Arabinë Saudite.