Sulmuesi i Realit të Madridit, Vinicius Zhunior e ka lënë pas dëmtimin dhe duket se është kthyer në formën e tij optimale. Ndaj kur Reali të zbresë sonte në mbrëmje në “Metropolitano” (21:30) në derbin e radhës për 1/8 e finaleve në Kupën e mbretit, do të jetë personi më i ndjekur nga mbrojtësit e Atletikos.
Trigolëshi historik kundër Barcelonës në finalen e Superkupës së Spanjës në vetëm 39 minuta lojë janë pasaporta me të cilin ai paraqitet në takimin e sotëm. Dhe përtej ngarkesës, Ançeloti nuk ka ndër mend t’i japë asnjë minutë pushim brazilianit. Por siç ka treguar dhe Ançeloti në konferencën para derbit të Kupës së Mbretit, Vinicius nuk ishte protagonist vetëm në fushë ndaj Barçës.
Ai ishte protagonist edhe me deklaratat e tij, ku qartazi deklaroi se dhe ai nuk është perfekt, duke iu referuar provokimeve që u bëri lojtarëve të Barcelonës.
Një ndjesë ndoshta, një “mea culpa” të tij, e vlerësuar jo pak. Por ndaj Atletikos, Ançelotit i duhet Vini arrogant. Dhe braziliani e di mirë, sepse dhe ai vetë ka llogari të hapura me ekipin e Simeones. Derbi kundër Atletikos do të jetë përballja e 13-të për të kundër Atletikos së Madridit.
Në 12 përballjet e deritanishme llogaritë janë të favor, pasi ai numëron 8 fitore në. Megjithatë, në planin personal, braziliani nuk ka arritur të lërë gjurmë në derbi. Dhe deri më tani ai ka mundur të shënojë vetëm një herë kundër “colchoneos”, pikërisht në kohën shtesë të 1/8 e finaleve në sezonin e kaluar në “Copa del Rey” që Reali e fitoi 3-1.
Por braziliani ka dhe një llogari tjetër personale ndaj Atletikos, këtë herë me tifozët e këtij ekipi për shkak të sjelljeve raciste të një grupimi. Ofendimet “majmun” të dy sezoneve të fundit në adresë të tij nga tifozët Atletikos nuk janë lehtë për t’u kapërdirë. Ndaj Vinicius kërkon të thyejë një tabu, Vinicius kërkon një shpagim…
Përgatiti: LEDJO SEFERKOLLI – PANORAMASPORT.AL