Kristian Panuçi u bë një emër shumë i famshëm në futbollin botëror me fanellën e Milanit, duke qenë pjesë e një prej epokave më të famshme në klubin kuqezi. Por në analizën që i bën ai situatës aktuale të këtij klubi, mendon se skuadra nuk ka më forcën në këtë edicion për të luftuar për titullin kampion.
Kuqezinjtë luajnë ndaj Udinezes në këtë fundjavë dhe Panuçi paralajmëron Milanin se nuk do të jetë e thjeshtë. “Duke parë se si luan skuadra e Çofit, me mesfushorët që ngjiten shumë lart, mendoj se do të jetë Udineze ajo që sulmon Milanin, pasi lëshon pak më shumë në qarkullimin e topit. Por pastaj duhet të jetë Udineze ajo që dihet të ketë shumë vëmendje dhe të mos hapet shumë, pasi Hernandez dhe Leao mund të bëhen shkatërrimtarë.
Ky është një Milan të cilit i mungon një lider mbrojtës në qendër, që jep garanci të plota, duke folur gjithmonë me respektin maksimal për Kjaer e Gabia, dyshja që me shumë mundësi do të luajë këtë ndeshje. Të dilnin nga Champions ishte një goditje e rëndë, ndërsa në kampionat Milani po bën atë që duhet. Por për luftën për titull, them se tashmë është një garë dyshe”, theksoi Panuçi duke menduar se për trofeun tani në garë janë vetëm Interi dhe Juventusi.
PANORAMASPORT.AL