Kapiteni i Luton Taun, Tom Lokjer (29 vjeç) vizitoi shokët e skuadrës në stërvitje, një muaj pasi pësoi një atak në zemër gjatë ndeshjes në Premier Ligë kundër Bornemuth. Lokjer u shemb në fushë në minutën e 59-të të ndeshjes në mes të dhjetorit.
Mjekët e të dy klubeve nxituan menjëherë në ndihmë dhe pas ndërhyrjes mjekësore ai riktheu vetëdijen. Ai u dërgua me urgjencë në spital, ku i është instaluar një defibrilator.
– “Më pëlqeu shumë të shihja të gjithë djemtë. Nuk i kam parë që nga ajo që ndodhi, kështu që është shumë bukur t’i shoh të gjithë. Të jesh aktiv gjithë jetën, jo vetëm në futboll, por në përgjithësi në çdo gjë tjetër dhe më pas të thonë që nuk mund të bësh asgjë, ishte mjaft e vështirë”, tha mbrojtësi me përvojë.
Takimi me shokët e skuadrës dhe trajnerin e Luton, Rob Eduards ishte plot emocione.
– “Unë disi arrita ta mbaja, por ishte emocionale. Ishte një kohë shumë e vështirë për familjen e tij, mbi të gjitha, por ishte e mrekullueshme për ne ta shihnim atë” – tha Eduards.
– “Ai është një person kaq mbresëlënës dhe i fokusuar. Ka një proces rehabilitimi, por ai po ecën ngadalë. Po pret një fëmijë dhe ky është fokusi i tij kryesor”, u shpreh trajneri i Lutonit.
Luton Taun aktualisht ndodhet në zonën e rënies, në vendin e 18-të në Premier Ligë me 16 pikë. Dy pozitat e fundit i mbajnë Bërnlej me 12 pikë dhe Shefilld Junajtid me 10 pikë.
;
PANORAMASPORT.AL