Mesfushori i Realit të Madridit, Xhud Bellingam rrezikon një dënim shembullor nga La Liga pas incidentit më të fundit ku është përfshirë. Gjithçka lidhet me ofendimet që anglezi i ka drejtuar bashkëkombasit të tij te Getafe, Mezon Grinud.
Siç raporton “Cadena SER”, mendohet se Bellingam e ka etiketuar ish-lojtarin e Junajtidit “përdhunues” nisur nga historitë e vjetra të tij. Një gjë e tillë nuk është kapërcyer mirë nga La Liga dhe nga vetë klubi i Getafes që kanë kërkuar dënimin e Bellingamit me anë të provës televizive. Incidenti i supozuar ndodhi gjatë fitores 2-0 të Realit të Madridit në Getafe të enjten në mbrëmje. Grinud iu bashkua Getafes në formë huazimi për një sezon nga Mançester Junajtid në shtator 2023. Ish-sulmuesi i Anglisë kishte qenë subjekt i një hetimi të brendshëm nga Junajtid pasi Prokuroria britanike (CPS) ndërpreu çështjen kundër 22-vjeçarit tani për tentativë përdhunimi, sulm dhe kufizim të lirisë.
LA LIGA – E para që ka reaguar ka qenë Getafe që ka kërkuar një hetim të çështje snë lidhje me incidentin e ndodhur të enjten në mbrëmje në “Coliseum”. Ajo ka kërkuar pezullimin e Bellingamit. Ndërkohë që dhe La Liga është vënë në lëvizje. Sipas mediave spanjolle, La Liga ka kërkuar të pajtojë një specialist në leximin e gjuhës së buzëve për të mësuar më shumë rreth ofendimeve që Bellingam ka lëshuar në adresë të Grinud që duket se ka mbetur mjaft i prekur nga incidenti.
Në rast se do të konfirmoheshin fjalët e Bellingamit, me shumë gjasa ai do të përballej me një dënim shembullor në La Liga. Ndërkaq, nga Anglia, “Daily Mail” ka bërë me dije se ndoshta ofendimi i Bellingamit ka qenë ndryshe. Sipas tabloidit britanik mendohet që Bellingam t’i jetë drejtuar Grinudit me termat si “plehrë, fundërrinë…”.
PANORAMASPORT.AL