Napoli do të duhet të përballojë ndeshjen e dyfishtë të Champions League kundër Barcelonës pa Piotr Zielinski: Dje u zyrtarizua përjashtimi i polakut nga lista e dorëzuar në UEFA.
Zgjedhje e vështirë sepse bëhet fjalë për një lojtar të “gardës së vjetër”, që mbërriti te Napoli në vitin 2016 me kërkesë të Maurizio Sarrit (i cili e kishte trajnuar te Empoli) dhe në këto tetë vite e gjysmë ka qenë një nga të paprekshmit në mesfushë dhe ndër protagonistët kryesorë të titullit të fituar vitin e kaluar.
Një zgjedhje, e shpallur disi që në korrik, kur Aurelio de Laurentiis kishte lënë të kuptohej një ide shumë specifike për lojtarët në dyshim, kontratat e të cilëve skadonin në qershor 2024: kush nuk nënshkruan është jashtë skuadre
“Il Mattino” flet hapur për “shuplakën e AdL për Zielinski”, duke zbuluar gjithashtu disa informacione mbi javët e fundit të mesfushorit, i destinuar për t’iu bashkuar Interit si lojtar i lirë në korrik. Kohët e fundit stafi teknik nuk është bindur nga mënyra e stërvitjes së Zielinskit, nga këndvështrimi i Napolit – shkruan gazeta – “ai ka filluar të mos japë maksimumin, është dikush që nuk mund të mbështetesh”.
Ja pse ka shumë mundësi që (përveç rasteve emergjente) Mazzarri nuk do ta aktivizojë lojtarin edhe në kampionat. Polaku do të mungojë ndaj Atalantës për shkak të lodhjes, situatë që tashmë “Il Mattino” e cilëson “farsë”.
Me pak fjalë, mes Napolit dhe Zielinskit përfundoi shumë keq. Një lamtumirë e gjatë që do të konsumohet ngadalë gjatë këtyre katër muajve, me skuadrën që humbet një pasuri të çmuar me zero euro dhe vetë Piotr që mezi pret fundin e sezonit për të përqafuar një sfidë të re.