Juventusi do të udhëtojë drejt Milanos për tu përballur me Interin nesër në mbrëmje në “San Siro”, në orën 20:45. Në prag të këtij dueli, trajneri i bardhezinjve Masimiliano Alegri doli në konferencën e zakonshme për shtyp. Ai theksoi se pavarësisht rezultatit që do të prodhojë 90-minutëshi, sërish nuk do të jetë vendimtar për titullin kampion pasi në lojë janë edhe shumë pikë.
“E njohim forcën e Interit dhe kemi shumë respekt pasi është skuadra më e fortë e kampionatit dhe favoritja për titullin kampion, por edhe ne jemi shumë mirë. Duhet t’i japim vazhdimësi këtij rrugëtimi që kemi nisur për t’u kualifikuar në Champions. Kemi rikuperuar Rabio dhe Kiezën, por me skuadrën do të udhëtojnë edhe të rinjtë si Djalo e Alkaraz. Nuk mund ta përcaktoj ende nëse Kieza do ta nisë si titullar apo jo.
Polemikat nga vendimet e arbitrave? Nuk dua që skuadra të shpërqëndrohet nga thashetheme të jashtme dhe që nuk na takojnë, duhet të përqëndrohemi për të marrë një rezultat pozitiv ndaj Interit.
Jildiz? Konkurrenca i bën mirë të gjithë lojtarëve, sidomos kur skuadra luan vetëm një ndeshje në javë. Duhet që lojtarët që vijnë nga stoli të jenë gati në çdo moment. Jildizin e shoh të përmirësuar. Ndaj Interit është një ndeshje shumë e bukur për t’u luajtur, por për kampionatin më të rëndësishme do të jenë pikët që vijnë pas asaj ndeshje”, deklaroi Alegri.
PANORAMASPORT.AL