Legjenda holandeze, Jap Stam, tashmë 51-vjeç, i ka surprizuar të gjithë me vendimin e marrë së fundmi. Edhe pse në të kaluarën si futbollist ka qenë pjesë e klubeve të mëdha Europiane, si Junajtid, Milan, Ajaks, Lacio, kjo nuk e ka penguar aspak që të marrë drejtimin e skuadrës së DOS Kampen që militon në kategorinë e shtatë.
Si trajner Stam nuk ka qenë aq i lumtur sa futbollist, pavarësisht se ka drejtuar tashmë Riding, Zvolle, Fejnor dhe FC Cincinatin.
Tani Stam do të marrë komandën e skuadrës amatore DOS Kampen, një emblemë që luan në kategorinë e 7-të të futbollit holandez. Dhe ka një arsye për këtë ‘martesë’ të pazakontë , aty ish-qendërmbrojtësi holandez filloi karrierën e tij.
“Është fantastike të kthehem. Ne patëm biseda të mira dhe unë pranova, sepse këtu më lejojnë të marr rolin e trajnerit, duke ruajtur rolin tim si komentues televiziv. Unë tashmë e kam ndihmuar klubin vitin e kaluar, veçanërisht me zhvillimin e Departamenti i Rinisë. Më pyetën nëse doja të merrja detyrën dhe e pranova”, u shpreh ai.
Stam ka qenë pjesë e DOS Kampen në vitet 1988-1992 ku u formua si futbollist, për të kaluar më pas te Zvolle.
PANORAMASPORT.AL