Paraditen e kësaj të enjteje, në Paris të Francës u zhvilluar Kongresi i 48-të i UEFA-s, ku përveç “luftës” ndaj krijimit të së ashtuquajturës, Superligë, udhëheqësit e organeve më të larta qeverisëse në botën e futbollit, UEFA e FIFA, Aleksander Ceferin e Gianni Infantino cekën edhe tema të tjera që kanë ende nevojë për zhvillim.
Kreu i FIFA, nuk mundi të linte pa prekur edhe temën e racizmit në këtë sport, ku të shumtë kanë qenë rastet, ku tifozët kanë “sulmuar” lojtarët, për shkak të ngjyrës së tyre të lëkurës, pavarësisht se kanë dhuruar spektakël në fushën e blertë, siç ishte rasti i “yllit” të Real Madrid, Vincius Junior, sezonin e shkuar, ndaj Valencia apo incidenti i para disa javëve ndaj “gardianit” të Milan, Mike Maignan, në transfertën e Udinese.
“Racizmi është krim. Mund të ulemi këtu tani dhe të tundim kokën në shenjë dakordësie, por racizmi ende ekziston. Ne duhet ta zhdukim këtë. Le të ndalojmë racizmin. Le ta ndalojmë tani. Le ta bëjmë këtë përmes edukimit”,- u shpreh “numri 1” i FIFA-s, teksa dukshëm në fjalët e tij duket dhe nevoja që ka ky sport për të shpëtuar nga ky fenomen. /i.m /abcnews.al